Mungesa e energjisë elektrike ka qenë një prej problemeve kryesore të procesit të votimit sot (e diel, 28 dhjetor 2025) në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme që po mbahen në Kosovë. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë me gazetarë konfirmoi se në disa komuna ka pasur telashe me rrymë, ndërsa shpreson se kjo s’do të ndodhë “kur të bie terri”.
“Ne po shpresojmë që nuk do të kemi ndërprerje të energjisë elektrike prej orëve kur fillon të bie terri. Por, mbetet të shohim. Integritetin e zgjedhjeve jo-domosdoshmërisht mund ta cënojë energjia elektrike. Por do të shohim se si do të procedohet më tutje”tha Radoniqi.
Megjithatë, sipas Radoniqit votimi nuk do të ndërpritet.
Sipas të dhënave të Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deri në orën 15:00 kanë votuar 29,04% të qytetarëve.
Deri në këtë orë të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 580 mijë e 540 qytetarë nga 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë sa kanë të drejtë vote.









