Anëtari i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar dorëheqjen e gjithë kryesisë së partisë, duke vendosur si afat sonte, deri në orën 24:00.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka kërkuar që Këshilli Drejtues i PDK-së të mblidhet brenda 48 orëve dhe të caktojë një kryesi të përkohshme, me mandat për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ai ka thënë se me UÇK-në, fatin e krerëve të saj dhe të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike.

“Me UÇK-në, me fatin e krerëve të UÇK-së dhe me të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike, këtu nuk e tolerojmë askënd”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas tij, këto janë çështje që prekin themelet e lirisë, sakrificën e popullit dhe dinjitetin e shtetit.

“Kërkesa është e qartë, dorëheqje sonte, mbledhje e Këshillit Drejtues brenda 48 orëve”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, Haxhiu ka përsëritur mbështetjen e tij për ish-krerët e UÇK-së.

“Me UÇK-në, me çlirimtarët. UÇK-ja është krenaria jonë. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”, ka përfunduar ai.