Tre ushtarë amerikanë janë vrarë në operacionin ushtarak të quajtur “Epic Fury” (Tërbimi Epik) në Iran, njoftoi të dielën Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Sipas njoftimit, viktimat janë konfirmuar në orën 9:30 të mëngjesit. Përveç tyre, bëhet me dije se 5 ushtarë të tjerë janë plagosur rëndë gjatë luftimeve.
“Deri në orën 9:30 sipas kohës lindore (ET), më 1 mars, tre pjesëtarë të forcave të armatosura të SHBA-së kanë rënë në detyrë dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë në kuadër të Operacionit ‘Epic Fury’”, thuhet në njoftimin e Komandës Qendrore të SHBA-ve.
Disa të tjerë, theksohet se kanë pësuar lëndime të lehta “nga copëzat e predhave dhe tronditje cerebrale dhe janë në proces të rikthimit në detyrë”.
Aty thuhet se operacionet e mëdha luftarake “vazhdojnë dhe përpjekjet tona për reagim janë ende në zhvillim”. “Situata është dinamike”.
Nga respekti për familjet, ata kanë thënë se do të përmbahen nga dhënia e informacioneve shtesë, përfshirë identitetet e ushtarëve të vrarë, deri 24 orë pasi të jenë njoftuar familjarët më të afërt të tyre.
Sulmet ushtarake amerikano-izraelite ndaj Iranit janë duke vazhduar. Nga këto sulme që kanë filluar të shtunën, është vrarë edhe udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si dhe disa drejtues të tjerë iranianë.









