Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk dihet nëse mandatari për krijimin e qeverisë së re, Albin Kurti, do të jetë në gjendje të arkëtojë votën e 61 deputetëve të nevojshëm për krijimin e qeverisë së re, ndërsa ka treguar edhe për hapat që do të marrë tutje.

Këtë deklaratë dhe të tjera lidhur me raportet ndërkombëtare të Kosovës e procesin e dialogut Kosovë-Serbi, e para e vendit i ka dhënë në një intervistë për DW, e cila duket se është realizuar para se Osmani të dispononte informacionin e sigurt për seancën e së dielës.

“Nuk dihet në qoftë se të dielën do të ketë seancë të kuvendit ose jo, sepse seanca e kuvendit ftohet vetëm në qoftë se krijohen 61 votat e nevojshme nga i mandatari për kryeministër, zoti Kurti. Në qoftë se kjo do të ndodhë apo jo, është tërësisht në duart e partive politike dhe për momentin nuk mund të parashikoj”, ka deklaruar presidentja Osmani.

Osmani ka thënë se nëse s’ka marrëveshje do të shfrytëzojë autoritetin e saj si presidente e vendit që t’i ftojë të gjitha partitë parlamentare për të parë nëse ndonjë parti a koalicion mund të krijojë shumicën e nevojshme parlamentare.

“Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën”, ka thënë Osmani për hapat e mëtutjeshëm presidencial në rast të mungesës së mazhorancës, e cila nuk është aspak larg sysh – me shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që ka deklaruar se ende nuk i kanë numrat për qeveri.

“… mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica”, ka shtuar Osmani.