Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në fjalën e saj në Kuvend, ka përmendur dy kompanitë fantome që merren me tregtim të energjisë e gjenerojnë miliona euro: NOA Energy Trade dhe ETMT, të cilat tha se kanë lidhje me pushtetin e Vetëvendosjes, duke e përmendur faktin se deputeti i Vetëvendosjes, Ejup Ahmeti, është bashkëpronar në një kompani me pronarin e ETMT-së.

“E kemi pas NOA-n me dy punëtorë, tash e kemi ETMT e cila është kompani e Marian Gjonaj, partner i njërit prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Le të del deputeti [Ejup] Ahmeti dhe le të tregon që nuk ka partneritet me të”, deklaroi Bajrami në seancën ku po diskutohet për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Bajrami tha se keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike “është vula e keqqeverisjes” së Lëvizjes Vetëvendosje qe gjashtë vjet, “ku më së miri shprehet kapja e institucioneve në mënyrën më arbitrare”.

Bajrami iu drejtua Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke ia kujtuar bisedat në Whatsapp, të cilat i kishte publikuar VOX Kosova, ku ajo kishte ndikuar për punësimin e Faruk Mujkës si Kryeshef i Ibër-Lepencit.

“Ministre kur del këtu dhe na akuzon dhe na tregon se si duhet të sillemi për Kuvend, unë du me të përkujtu edhe du me thanë që ty duhet me të ardhë turp nga faktet që janë publiku”.

“Ty të janë publikuar bisedat në Whatsapp, ku ti zgjedh kryeshefa të ndërmarrjeve publike. Ju me të marrë pushtetin kryesuesin e komisionit për energjetikë Nagip Krasniqin, e keni ba shef ekzekutiv të KEK-ut. E keni ba grupin e Whatsapp-it dhe Nagip Krasniqit i keni tregu se kujt me ia dhanë tenderat. Ka rezultu që ka marrë instruksione prej Dejona Mihalit, e cila nuk mban asnjë pozitë shtetërore dhe i ka thanë që me ia dhënë tenderin kompanisë greke”.