“Shkon te salduesi, salduesi prej Pakistani. Shkon te axhustatori prej Bangladeshi. Shkon te elektricisti prej Filipine. Unë s’kam asgjë kundër. Kjo tregon që ekonomia jonë po rritet dhe nuk kemi mjaftueshëm fuqi punëtore sa kemi rritje të bizneseve”, tha Albin Kurti para disa ditëve në një nga tubimet elektorale.

“Elefanti në dhomë” është një metaforë që përdoret në momente kur një problem madhor, nga frika e përballjes, njerëzit nuk dëshirojnë ta diskutojnë.

Dhe kështu janë edhe këto ligjërimet politike të Albin Kurtit – ku flet për situata periferike e shifra që, në të vërtetë, nuk pasqyrojnë situatën reale në Kosovë pas pesë vjetëve të qeverisjes së tij.

Se paska parë diku në Kosovë duke punuar disa pakistanezë e filipinas, në të vërtetë, nuk është shenjë e një ekonomie në rritje e shpërthim – siç e përshkruan ai me gjeste e tonalitet.

Janë një fotografi e një vendi që fuqia e tij punëtore, madje edhe ajo e kualifikuar, po i largohet.

Dhe bizneset, të gjendura në situata të vështira, po bëjnë zgjidhje emergjente.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe organizatave të tjera tregojnë se rreth 142 mijë qytetarë të Kosovës kanë braktisur vendin nga viti 2021 deri në vitin 2024.

Statistikat e Eurostatit, ndërkaq, tregojnë se nga viti 2021 deri në vitin 2024, rreth 178 mijë qytetarë të Kosovës kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në Evropë.

Kjo lëvizje e njerëzve jashtë vendit, por edhe migrimi i brendshëm, ka bërë që 29 komuna të kenë shumë më pak banorë rezidentë krahasuar me regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

Dhe imagjinoni ekonominë lokale të 29 komunave me këtë tkurrje të banorëve të përhershëm.

Nga të gjitha hulumtimet dhe analizat e bëra, pagat e vogla, kushtet e rënda të punës, pasiguria në shëndetësi, drejtësi, energji dhe arsimi jo cilësor janë disa nga arsyet që shtyjnë qytetarët nga Kosova të gjejnë jetë më të mirë diku tjetër.

Por nuk është vetëm një fuqi punëtore e pakualifikuar që largohet nga vendi.

Sipas Odës së Infermierëve të Kosovës, çdo vit mesatarisht rreth 300 infermierë, për shkak të pabarazisë në punë, pagave të ulëta dhe kushteve të tjera, emigrojnë kryesisht drejt vendeve të rajonit dhe Evropës Perëndimore.

Kur ikin punëtorët, edhe bizneset gjejnë rrugë të tjera.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë gjysmës së parë të këtij viti, investimet direkte jashtë vendit të bizneseve nga Kosova arritën në 166 milionë euro. Vlera e këtyre investimeve ishte 59 milionë euro në vitin 2020, u rrit në 100 milionë euro në vitin 2021 dhe vazhdoi të ngjitej deri në 224 milionë euro në vitin 2024. Kryesisht, investimet janë orientuar drejt Shqipërisë si një treg me më shumë mundësi.

Një nga arsyet e këtyre lëvizjeve biznesore është se në Kosovë, përveç rënies së fuqisë punëtore, ka rënë edhe fuqia blerëse, ndërsa pasiguria energjetike dhe politike është rritur.

Kurti jo rrallë herë krenohet me rritje ekonomike.

Por raporti i Bankës Botërore thotë se rritja ekonomike është ngadalësuar në pjesën e parë të vitit 2025: nga 4.4 për qind sa ishte në vitin 2024, në 3.8 për qind në pjesën e parë të këtij viti. Banka Botërore thekson se ka rënë konsumi dhe se kriza politike, rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe emigrimi janë disa nga rreziqet për ekonominë e Kosovës.

Kur flet me zell nëpër fushata, Kurti harron qëllimshëm të përmendë sfidën e madhe të rritjes së çmimeve.

Gjatë qeverisjes së tij, fatura e rrymës për qytetarët u rrit dy herë: një herë në vitin 2023 dhe një herë në vitin 2025, dhe secila herë me nga 15 për qind.

Ka paralajmërime se, nga mungesa e investimeve në energji dhe faktorëve të tjerë, një tjetër rritje e çmimit të energjisë i pret qytetarët në pranverën e vitit 2026.

Çmimet e artikujve bazë, në vitin 2025, përjetuan një rritje prej 5.4 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Qytetarët shumë më shtrenjtë kanë paguar për vezët, pemët dhe perimet, produktet e qumështit dhe mishin.

Me gjasë, për Kurtin këto nuk janë një shqetësim ditor, pasi paradoksalisht është Kryeministri që drejton vendin dhe, krejt kohën, familja e tij – bashkëshortja dhe fëmija – nuk jetojnë këtu për t’u përballur me shtrenjtimet apo vështirësitë e tjera në shëndetësi, arsim, energji dhe ambient.

Elefanti në dhomë, në të vërtetë, është ikja e qytetarëve nga vendi, e fuqisë punëtore të zanateve dhe asaj të kualifikuar; është ikja e bizneseve të mëdha. Janë faturat që fryhen çdo vit.

Dhe sa më shumë që i injorojmë dhe flasim për një situatë krejt rastësore diku në një komunë të Kosovës, si kjo me disa pakistanezë e filipinas, aq më shumë elefanti do të rritet.