Rock bendi Elbow do të mbajnë tri koncerte në qytetin e tyre, në Manchester Ritz, nga 20 deri më 22 nëntor, ku do të interpretojnë të plotë albumin e tyre debutues ‘Asleep In The Back’, për të shënuar 25-vjetorin e tij.
Frontmeni i grupit, Guy Garvey, në një intervistë për NME, ka folur rreth rikthimit në vendin e tyre të dashur, The Ritz, për tri net për të festuar albumin e tyre debutues, për faktin që nuk e takoi kurrë Mark Hollis të Talk Talk, kujtimet dhe vështirësitë e vitit 2001, mendimet për Andy Burnham si Kryeministër, dhe për mënyrën se si David Bowie po frymëzon albumin e tyre të ardhshëm.
Përshëndetje, Guy. Në vitin 2020 publikuat albumin akustik ‘Live At The Ritz’. Pse po riktheheni aty për këto koncerte të ‘Asleep In The Back’?
Guy Garvey: The Ritz është një lloj fari i jetës muzikore të natës në Manchester. Ka qenë aty prej një përjetësie dhe do të jetë aty përgjithmonë. Kur isha 16 vjeç, pak para se të takoja grupin, mund të më gjeje mua dhe anëtarë të ndryshëm të Elbow në netët indie të Ritz. Rrije aty duke shpresuar që ndonjë vajzë të të puthte, ndërkohë që pije cigare dhe kërceje në pistën e vallëzimit. Ishte vendi ku shfaqje ‘pendët’ e tua, për të treguar se ishe pjesë e kundër-kulturës.
Kur u bëmë mjaftueshëm të mëdhenj për të qenë emri kryesor aty me forcat tona, gjë që ndodhi gjatë ‘Asleep In The Back’, ishte një moment i madh. Kemi pasur një karrierë të jashtëzakonshme, kemi takuar këdo që kemi dashur të takojmë dhe kemi qenë kudo ku kemi dashur të shkojmë. Por, Ritz është gjithmonë i veçantë.
Kur Elbow pati kaq shumë probleme me kompanitë diskografike para se – më në fund – të nënshkruante një kontratë, a mendoi ndonjë nga anëtarët e grupit të largohej?
Guy Garvey: Letargjia nuk na mbante kurrë gjatë. Mund të kishe disa minuta të këqija, pastaj dikush e ngrinte moralin. Unë jam shumë i mirë në fjalimet motivuese, por Mark Potter ka një besim të palëkundur në atë që bëjmë. Gjithmonë e ka pasur. Ai ishte yll roku shumë kohë përpara se të bëhej një yll roku.
Nëse ndihesha keq, mund të mbështetesha te besimi 100 për qind i palëkundur i Markut se gjithçka do të shkonte mirë. Kur jemi në skenë dhe po përjetojmë një moment të vërtetë “këtu dhe tani”, kur gjithçka duket, tingëllon dhe ndihet shkëlqyeshëm, nëse më kap syri i Pot-it, i them vetëm me lëvizjen e buzëve: “Ide e mirë”, dhe ai e di që e kam fjalën për grupin.
‘Asleep In The Back’ kishte më shumë të përbashkëta me Massive Attack dhe Talk Talk sesa me shumë prej bashkëkohësve të Elbow të periudhës Post-Britpop. A ishte ai tingull karakteristik i pranishëm që në fillim?
Guy Garvey: Po të kishim nënshkruar njërën prej atyre kontratave të hershme diskografike, mendoj se albumi do të kishte qenë më komercial. Në kohën kur realizuam versionin përfundimtar të albumit, ishim më shumë Spiritualized sesa Radiohead. Qasja ishte: “Ta lëmë këtë këngë të ziejë ngadalë para se të shohim se çfarë vjen më pas”.
Kur vendosëm t’i bënim këto koncerte, e dëgjuam përsëri ‘Asleep In The Back’ – gjë që nuk besoj se ndonjëri prej nesh e kishte bërë prej vitesh. U befasova pak, sepse ai album është i mprehtë, i errët dhe i guximshëm. Pete tha: “Jam vërtet krenar për atë që bëmë aty. Është një album debutues vërtet i guximshëm”.
Përvoja kolektive e koncerteve tona live e ndryshoi, deri diku, mënyrën se si shkruanim. Kur kuptova se sa ndikim kishim, një lloj romantizmi dramatik zuri vendin kryesor për disa vite. Gjithmonë ka pasur errësirë aty brenda; kurrë nuk kam pasur frikë të trajtoj tema të errëta. Por, pothuajse i gjithë ‘Asleep In The Back’ është një deklaratë që thotë: “Mjaft me kaq, le të ikim prej këtej”.
A ka ndonjë këngë në album që mezi prisni ta luani sërish live? Dhe ndonjë që nuk po e prisni me aq dëshirë?
Guy Garvey: Mezi po pres ‘Little Beast’, sepse nuk më kujtohet ta kemi luajtur ndonjëherë live. Dhe nuk po e pres me shumë dëshirë ‘Powder Blue’, sepse është shumë lart vokalisht dhe ka shumë nota vërtet të gjata. ‘Powder Blue’ ishte e dhimbshme për t’u kënduar që në fillim, dhe atëherë isha shumë më i ri. Mund ta ndryshonim tonalitetin, por kjo do të ishte hile. Thjesht, duhet të filloj stërvitjen për të.
Ka 11 këngë të ndryshme që ekzistojnë ekskluzivisht si B-Sides nga periudha e ‘Asleep In The Back’. Sa prej tyre do t’i luani në koncerte?
Guy Garvey: I kemi hedhur një sy B-Sides, por nuk do të luajmë shumë prej tyre. Le të themi vetëm se do të ketë disa surpriza që lidhen me atë periudhë. Më mungon koha kur bënim B-Sides. Gjatë ‘Audio Vertigo’, bëmë një lloj kompromisi duke realizuar EP-në ‘Echo’, që ishte ekuivalenti i B-Sides: me këmbën pak më larg pedalit të gazit. Tani nuk mund ta dëgjoj ‘Audio Vertigo’ pa dëgjuar edhe ‘Echo’. Për mua, të dyja së bashku përbëjnë albumin e plotë.
I dua B-Sides. Kënga ime e dytë e preferuar e Talk Talk – ‘It’s Getting Late In The Evening’ ishte B-Side e ‘Life’s What You Make It’. Ajo ka diçka jashtëzakonisht të rrallë për Talk Talk, një grimë të vogël dokumentimi spontan. Para se të nisë soloja e madhe me sint, dëgjon një derë emergjence që mbyllet dhe dikë që qesh nën hundë. Është shumë e pazakontë për ata burra aq kontrollues që të linin diçka të tillë aty. Është magjepsëse të pyesësh veten se kush ishte dhe pse ndodhi.
Këngëtari i Talk Talk, Mark Hollis, njihej për natyrën e tij jashtëzakonisht të tërhequr. A e takuat ndonjëherë?
Guy Garvey: Jo. Por, kur fitova një çmim të Radio Academy në vitin 2014, Akademia e pyeti menaxherin tonë nëse kishte ndonjë person që do të doja shumë të ma dorëzonte çmimin.
Unë nuk do ta kisha miratuar, sepse e dija sa privat ishte Marku, por Akademia i shkroi Mark Hollis. Marku u përgjigj me një letër ku thoshte: “Kam shumë respekt për muzikën që bën Elbow” – që është thuajse si të thoshte se i pëlqente – “Por unë nuk bëj gjëra të tilla. Nëse Guy ndonjëherë dëshiron të dalim për një birrë në Londër…”. Dhe më la numrin e tij të telefonit. Dhe unë nuk e telefonova kurrë [Hollis vdiq në vitin 2019].
Vepra e Talk Talk është aq thellë e ngulitur në qenien time, sa nuk mund të rrezikoja vendin që ajo zë në zemrën time. Është pjesë e asaj që jam dhe nuk mund të luaja me këtë. Nuk kishte asnjë mënyrë që Marku, si njeri, të mund të arrinte nivelin e muzikës që kishte krijuar. Vitin e kaluar bëra për Radio 4 një udhëzues 20-minutësh për fillestarët rreth ‘Spirit Of Eden’. Mora mesazhe nga e veja e Markut dhe nga djali i tij, të cilët më thanë se sa shumë u kishte pëlqyer programi. Ky ishte miratimi që doja. Ishte fantastike.
Andy Burnham është një fans aq i madh i Elbow sa përdori ‘One Day Like This’ në videon e fushatës së tij në Makerfield. Si mendoni se do t’ia dalë si Kryeministër?
Guy Garvey: Jam jashtëzakonisht i lumtur që është Kryeministër dhe mendoj se do të bëjë një punë të shkëlqyer. Por, asnjë politikan nuk është 100 për qind i paprekshëm çdo ditë. Me siguri që në momente të caktuara do t’i zhgënjejë disa njerëz. Kjo është natyra e politikës, por unë besoj në atë nga ku vjen ai dhe në qëllimet e tij.
Jam krenar që kam pasur sadopak lidhje me Makerfield. Normalisht nuk do të rreshtoheshim kurrë përkrah një politikani, por rrethanat e jashtëzakonshme kërkojnë veprime të jashtëzakonshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për atë që Andy mund të bëjë, por për atë që duhet të bëjë, duke e ndalur të djathtën ekstreme. Polarizimi trumpian i Amerikës ka mbërritur në pragun tonë dhe ja ku kemi një njeri që mund ta mposhtë atë.
Çfarë vjen më pas për Elbow?
Guy Garvey: Kohët e fundit pashë ekspozitën e re gjithëpërfshirëse të David Bowie në Lightroom, në King’s Cross. Çfarë kënaqësie! Dola prej andej dhe i telefonova Elbow në grupin tonë të bisedës. Thashë: Më pëlqen mënyra se si punojmë. Por, gjatë 15 vjetëve të fundit, kemi kaluar shumë skedarë nga njëri te tjetri. Nuk besoj se mund të shkruash ‘Life On Mars?’ duke qenë në dy skaje të ndryshme të autostradës M6. Duhet të jesh në të njëjtën dhomë. Për më tepër, nuk besoj se mund ta bësh këtë me pesë mendime të ndryshme në të njëjtën dhomë.
I pyeta se çfarë mendonin nëse unë do të shkruaja vetëm në një dhomë me Craig për disa ditë dhe pastaj me Mark për disa ditë. Për shkak se të gjithë e duam dhe i besojmë njëri-tjetrit, përgjigjja ishte: “Vazhdo”.
Kështu që, dje isha në kopshtin e Markut, pasi e kisha tepruar pak me kafeinën dhe një joint, dhe shkruam dy këngë. Unë dhe ai nuk e kishim bërë këtë që kur ishim 16 vjeç. Ishte magjike.
Si po tingëllojnë ato këngë të reja?
Guy Garvey: Nëse arrin ta ruash vrullin dhe energjinë, duke i kombinuar me mençurinë dhe përvojën, atëherë ke mundësinë të krijosh diçka krejtësisht të re. A plaket Tom Waits duke u bërë njëkohësisht edhe më i mirë? Po. David Byrne? Johnny Cash? Për ne, të jesh në një grup nuk është thjesht lojë për të rinjtë. Për ne është: A na lejohet ende ta bëjmë këtë? Shkëlqyeshëm!









