Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të ketë marrë informacion se “vrasjet në Iran janë ndalur”, por akoma nuk ka përjashtuar mundësinë e veprimit ushtarak kundër vendit të Lindjes së Mesme për shkak të shtypjes së dhunshme ndaj protestuesve anti-qeveritarë.
Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, më shumë se 2,400 persona janë vrarë gjatë shtypjes së fundit nga autoritetet iraniane në përgjigje të protestave mbarëkombëtare.
Trump kishte kërcënuar Iranin më herët me “masa shumë të ashpra” nëse qeveria e tyre do të ekzekutonte protestuesit. Kjo pas raportimeve se një 26-vjeçar, i arrestuar gjatë demonstratave, ishte dënuar me vdekje.
Erfan Soltani ishte planifikuar të ekzekutohej të mërkurën, kishte thënë familja e tij për BBC Persian. Më pas ata i thanë grupit kurd për të drejtat e njeriut Hengaw, me seli në Norvegji, se ekzekutimi i tij ishte shtyrë.
Të enjten, mediat shtetërore iraniane thanë se Soltani ishte arrestuar gjatë protestave, por mohuan se ai ishte dënuar me vdekje.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se administratës së tij i ishte thënë “nga burime të besueshme” se “vrasjet në Iran po ndalen dhe nuk ka plane për ekzekutime”.
Kur u pyet nga një gazetar, Trump tha se “burime shumë të rëndësishme nga pala tjetër” e kishin informuar për zhvillimet, duke shtuar se shpresonte që raportimet të ishin të vërteta.
Autoritetet iraniane raportohet se nuk i kanë dhënë familjes së Soltanit më shumë informacion për rastin e tij, duke përmendur vetëm se ai ishte arrestuar në lidhje me një protestë.