Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, janë përplasur për ekspozitën skandaloze për masakrat në Kosovë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, ku po raportonte Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Përplasja filloi kur Zemaj përmendi faktin se autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, ka qenë këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kjo nuk i pëlqeu deputetes së VV-së dhe filloi ta akuzojë kolegun nga LDK se po bën politikë me këtë çështje.
“Për keqardhje je edhe ti që po bën vazhdimisht politikë me këto tema, po e ndërlidh me aty ku s’duhet”, i tha Kollçaku Zemajt, i cili e pyeti se “me cilat tema?”.
“Me këshilltar i kujt ka qenë”, vazhdoi deputetja e VV-së. “Ma e rëndësishme është kjo se ju doni me e hedh dikund gurin… një njeri që në kohë u shkarkua…”, shtoi.
Zemaj insistoi në pyetjen e tij se këshilltar i kujt ka qenë Gashi.
Kollçaku doli nga pyetja me një pyetje. Ajo e pyeti Zemajn nëse ka kërkuar përgjegjësi nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama për vendosjen e kësaj ekspozite.
“Po more, i ka hequr menjëherë, sapo i ka lexu i ka heqë”, iu përgjigj Zemaj, derisa e pyeti Kollçakun “a e ke tërheqë ti librin nga shpërndarja?”, duke iu referuar faktit se Ministria e Punëve të Jashtme gjatë kohës kur udhëhiqej nga Donika Gërvalla kishte shpenzuar 15 mijë euro për blerjen e librit të Gashit, nga ku është bazuar ekspozita për masakrat.
“A ia ke kërku kthimin e fondeve? Ai e ka tërhequr ekspozitën, ti nuk i ke tërheq fondet”, potencoi ndër të tjera Zemaj dhe më pas u largua nga Komisioni, pasi që Kollçaku ia kaloi fjalën Ministrit Hoti.









