Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit, duke folur për ekspozitën skandaloze për masakrat, e cila është mbështetur financiarisht nga Kuvendi, ka thënë se kryesia ka vepruar “mbi bazën e informacionit të paraqitur në atë kohë dhe nuk ka pasur asnjë indikacion për pasaktësi”, duke theksuar se “verifikimi i të dhënave nuk bie në kompetenca të drejtpërdrejta të Kuvendit të Kosovës, as të Kryesisë së Kuvendit”.
Këto komente, Haxhiu i ka bërë në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Ajo tregoi se vendimi për mbështetje financiare për ekspozitën është marrë nga Kryesia e Kuvendit dhe i cili tha se është mbështetur nga të gjithë anëtarët e Kryesisë, përveç ata të Listës Serbe.
“Vendimi për mbështetje financiare të kësaj ekspozite është marrë në kryesi të Kuvendit. Përveç përfaqësuesve të Listës Serbe, të gjithë anëtarët tjerë kanë votuar në favor të këtij vendimi”, tha Haxhiu.
Ajo pohoi se Kuvendi në përputhje me mandatin e tij mbështet iniciativa të shoqërisë civile, artistëve, të organizatave që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë edhe kujtesën kolektive dhe dokumentimin e luftës.
“Kjo mbështetje nuk nënkupton ndërhyrje në përmbajtje e as miratim të saj. Nuk ka mekanizma të tillë ligjor. Përmbajtja mbetet përgjegjësi e plotë e autorëve dhe organizatave”, shtoi.
Haxhiu potencoi edhe se i vjen keq për çfarë ka ndodhur.









