Komuna e Prishtinës organizon aksion sot në orën 10:00, do të hiqet tabela e ekspozitës për masakrat

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se këtë të shtunë të 28 marsit, qysh nga ora 10:00 do të përvishet në një aksion për largimin e tabelave të ekspozitës së Shkelzen Gashit, autor dhe ish-këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për masakrat e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, e cila u kritikua për pasaktësi faktesh dhe gabime trashanike në interpretim.

“Ju njoftojmë se sot, me datë 28.03.2026, duke filluar nga ora 10:00, ekipet e Kryeqytetit do të ndërmarrin aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”, thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës.

Dje mbrëma, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, njoftoi se leja për ekspozimin e materialeve të Gashit në Sheshin “Nënë Tereza” është pezulluar për shkak të pasaktësive. Ai tha se në Prishtinë nuk ka vend për ekspozita me gabime të tilla.