Pas përfundimit të mandatit të saj si Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari nuk është rizgjedhur në këtë pozitë. Vendin e saj e ka marrë Mimoza Kusari-Lila.
Të enjtën, Hajdari ka publikuar raportin e progresit për periudhën mars 2021 shkurt 2026, ku përshkruan dhjetëra reforma ligjore, marrëveshje ndërkombëtare dhe rritje të investimeve, duke e prezantuar si “një periudhë suksesi të jashtëzakonshëm”.
Raporti prej rreth 14 faqesh përmend licencimin e 98% të operatorëve të naftës, rritjen e inspektimeve të tregut, avancimin e parqeve industriale dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Megjithatë, një nga çështjet më të ndjeshme dhe të debatueshme, rezervat shtetërore nuk përmendet në tekstin e saj “kilometrik”.
Por ajo ka zgjedhur të flasë shkurt për rezervat shtetërore të naftës, ku thotë se “rezerva shtetërore është rritur 30-fish” dhe e përfundon me kaq kryefjalën e qeverisjes së saj.
Përtej kësaj, raporti nuk jep asnjë informacion për menaxhimin, sigurinë ose procedurat, e rezervës shtetërore, temë që edhe më tutje po e heton Prokuroria Speciale në Kosovë.
Por përkundër shifrave mbresëlënëse dhe bilancit të madh të reformave që i paraqet që paktën raporti, mungesa e detajeve për rezervat shtetërore tregon një boshllëk në raportimin e transparencës dhe menaxhimit të burimeve kritike të vendit.
E pyetur mbrëmë se pse nuk është rizgjedhur në pozitën e njejtë sërish, Hajdari u përgjigj se nuk është e domosdoshme të jetë gjithmonë i njejti emër, duke mohuar se kjo ka lidhje me hetimet ndaj saj.









