Faton Fetahu, ekspert i çështjeve kushtetuese, ka thënë se dekreti i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, pas dëshmimit të zgjedhjes së Presidentit të ri, është plotësisht kushtetues.
Përmes një postimi në Facebook, Avokati Fetahu ka thënë se është “fakt i pakontestueshëm se ka dështuar zgjedhja e Presidentit brenda afatit prej më së voni 30 ditëve para përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale”.
“Po ashtu është fakt i pakontestueshëm se afati 60-ditor për zhvillimin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit, sipas nenit 82 (3), ka filluar të rrjedhë nga data 5 janar dhe ka përfunduar dje, më 5 mars 2026”, shkroi ai.
Presidenti nuk është zgjedhur dhe, sipas tij, “për pasojë, në mënyrë automatike vendi duhet të shkojë në zgjedhje”.
“Prandaj, dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i dështimit për ta zgjedhur Presidentin sipas afateve të mësipërme, është plotësisht kushtetues”.
Ai theksoi se zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpallja e tyre.
Presidentja Osmani, në një konferencë për media mëngjesin e së premtes, njoftoi se e ka shpërndarë Kuvendin, pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit.
Ajo tashmë ka thirrur edhe një takim nga ora 13:00 me liderët e partive politike për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja. Partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim, ndër Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim, edhe pse zyrtarë të kësaj partie e kanë konsideruar anti-kushtetues dekretin e Osmanit.
Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit të enjten për shkak të kuorumit, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi që i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, dhe ka kërkuar masë të përkohshme.









