Disa ekspertë të çështjeve kushtetuese, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e procesit të konstituimit të Kuvendit, kanë konsideruar se ky vendim e ka shpallur anti-kushtetues procesin e votimit të fshehtë, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
VV, si propozuese e votimit të fshehtë, konsideroi se Kushtetuesja i dha të drejtë. Por, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, vendimi thotë krejt diçka tjetër.
Në leximin e Hasanit, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të qartë, ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.
“…që nënkupton se ajo që është bërë nga Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani.
Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës vlerëson se Kushtetuesja vendosi për tërësinë e procedurës për konstituimin e Kuvendit, përfshirë këtu edhe në çfarë forme bëhet votimi.
“Ajo ka vendosur për gjithë procedurën dhe ka treguar që procedura duhet të jetë e njëjtë, siç thotë Rregullorja, Kushtetuta dhe siç është vendosur pas çdo zgjedhje parlamentare në Kosovë deri tash. Këtë e ka thënë Gjykata. Dhe asnjëherë deri sot nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës nga kryesuesi dhe asnjë nuk ka pasur votim të fshehtë”, theksoi ai.
Gjykata, sipas Hasanit, e ka bërë të qartë që Kushtetuta, Rregullorja dhe praktikat parlamentare janë ato që përcaktojnë se si konstituohet Kuvendi. “Asnjëherë nuk ka pasur votim të fshehtë për konstituimin e Kuvendit. Gjykata këtë e ka thënë”, theksoi.
Sipas tij, aktgjykimi e bën të qartë që partia fituese në zgjedhjet parlamentare, në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje duhet të arrijë konsensus, pra të sigurojë 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Kjo është përgjegjësi dhe detyrë e saj. Nuk mund të barazohet me rastin e nënkryetarëve. Për këtë çështje ka dispozita më specifike edhe në Rregullore, sepse nënkryetarët përfaqësojnë forcat politike dhe grupet etnike dhe ata nuk mund të barazohen [me kryetarin]”, tha ai.
Edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses e ka bërë të qartë se mënyra e votimit duhet të jetë e hapur, ndryshe sec pretendon VV-ja.
“Votimi i fshehtë, sipas Gjykatës, përdoret vetëm kur e parashikon Kushtetuta. E që rasti i konstituimit – nuk është një prej tyre. Madje, Gjykata indirekt përcakton që mënyra e votimit me të cilën fillohet procedura – duhet të ndiqet deri në fund. Pra, s’ka kthim mbrapa në votim të fshehtë, për aq kohë sa procesi është në vijim. Mbi të gjitha, duhet të ndiqet praktika e deritanishme – që gjithnjë ka qenë votim i hapur”, shkroi Cakolli në Facebook.
Sa i përket afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, Hasani mendon se është “pak i çuditshëm”, meqë sipas tij, përveç rastit të Sllovenisë, askund tjetër nuk përcaktohet një afat për konstituimin e Kuvendit.
“Përcaktimi në këtë mënyrë në të ardhmen mund të jetë problematik, për shkak se në rast të moskonstituimit brenda 30-ditësh në zgjedhje të tjera nuk mund të shkohet, meqë do të ishte absurde në praktikën parlamentare në vendet demokratike sepse për herë të parë do të shkohej në zgjedhje pa pasur një organ përfaqësues të konstituuar. Ky është problemi kryesor”, pohoi Hasani.
Ndërsa, sipas Cakollit, Kushtetuesja me afatin 30 ditor nuk ka përcaktuar se cfarë ndodh nëse nuk bëhet konstituimi brenda kësaj kohe.
“Por çfarë ndodh nëse konstituimi nuk përfundohet deri atëherë? Asgjë s’është sqaruar. Pra, kemi afat, por jo pasoja”, potencoi ai.
Sa i përket këtij afati, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se nëse pas 30 ditësh nuk përfundon konstituimi i Kuvendit, nënkuptohet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Pas 30 ditësh nënkuptohet, se nuk shkruan, por do ishte mirë të shkruhej se nëse nuk zgjidhet brenda 30 ditëve, atëherë shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, vlerësoi Kryeziu.
Por kjo, në prizmin e tij, lë për të nënkuptuar se “duhet të fuzionohet edhe Presidentja e shtetit për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme”.
Ndryshe, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është lexuar nga secila parti sipas këndvështrimit dhe interesit të vet politik, duke i dhënë të drejtë vetes për qëndrimet që kanë mbajtur deri më tani.
Kushtetuesja u dha afat 30 ditë partive politike që ta përfundojnë konstituimin e Kuvendit. Aty ku filluan interpretimet nga palët ishin në lidhje me procesin e votimit të fshehtë, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
VV pretendoi se Kushtetuesja e lejoi votimin e fshehtë. Nga ana tjetër, opozita tha se ky proces u cilësua anti-kushtetues.
Sot u mbajt seanca e 38-të për konsituimin e kuvendit, mirëpo, me pajtim të të gjitha partive parlamentare ajo u shty për një ditë tjetër.
Ky vendim, që u kumtua nga kryesuesi Avni Dehari, u morr pas ftesës që Kryetari i VV-së, Albin Kurti, u bëri të gjitha partive parlamentare për t’u takuar të shtunën, në funksion të gjetjes së konsensusit për konstituimin e Kuvendit.
Përfaqësues të partive opozitare – PDK, LDK e AAK – e kanë fajësuar vazhdimisht VV-në për bllokadën e krijuar tash e disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
VV ka propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për Kryetare të Kuvendit, e cila ka dështuar 37 herë që t’i marrë votat e nevojshme për të marrë drejtimin e legjislativit. Opozita nga ana tjetër e ka bërë të qartë se nuk do ta përkrahin kandidaturën e Ministres në detyrë të Drejtësisë.