Më 13 shkurt të vitit 2023, fiks dy vjet prej që Albin Kurti e Vetëvendosje kishin ardhur në pushtet me premtimin e shuarjes së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kjo Ndërmarrje Publike Shiti 3 mijë e 658 metër katror tokë bujqësore në Klinë, me çmim prej 2 mijë e 926 eurosh. Saktësisht, për tokë shteti u pagua 79 centë metri katror.
Avazi i njëjtë kishte vazhduar edhe më tej. Në një raport të AKP-së të cilin e ka parë VOX Kosova, zbulohet se në vitin 2024, 4 mijë e 861 metër katrorë tokë në Kaçanik, u shitën për 5 mijë e 800 euro – apo 1 euro e 19 centë metri katror.
Në vitin 2023 gjithashtu, në Grabanicë të Klinës, 435 metër katrorë tokë u shitën për 650 euro, apo 1 euro e 49 centë metri katror.
Në këtë çmim të njëjtë, 1 euro e 50 centë për metër katrorë u shitën edhe gjithsej katër prona tjera në Klinë. Aty, në total 7 mijë e 866 metër katrorë tokë u shitën për rreth 11 mijë e 800 euro.
Por të kthehemi sërish pas në kohë.
Ishte maji i vitit 2021, diku tre muaj pas zgjedhjeve të 14 shkurtit kur Vetëvendosje kishte fituar 47 për qind në zgjedhje. Në një paraqitje nën zhurmën e duartrokitjeve të deputetëve të vet, Kurti sulmonte AKP-në dhe anëtarët e Bordit të saj – duke thënë se ishte vjedhur përmes privatizimit.
“Por që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet bordi sepse kanë vjedhur shumë, por ne nuk do t’i lejojmë të vjedhin më. Kanë vjedhur me paga e kanë vjedhur me privatizime. Janë paguar për të vjedhur”, thoshte Kurti.
Një tjetër përrallë e këtij pushteti.
Por, duhet ta pranojmë se niveli i mashtrimit në këtë rast është gati artistik. 20 vjet u bind populli se ekziston një institucion që ua grabitë pasurinë dhe pas 20 vjetësh e merr pushtetin për ta thelluar grabitjen përmes institucionit që paraprakisht vetë e ke denoncuar. Elasticitet i pashembullt ky i ndërgjegjes, i demonstruar nga të pashembulltit e Vetëvendosjes.
Një tjetër ekzekutim maestral i kalbëzimit moral që e ka reduktuar këtë parti në një grup që bashkë me luksin ha edhe premtimet e veta.








