Raporti përfundimtar i Inspektoratit Sanitar pas inspektimeve në kampin e Njësive Speciale “Enver Zymeri”, të cilin e ka siguruar VOX Kosova, ka dëshmuar se gjendja brenda kampit është akoma më e rëndë seç ishte prezantuar fillimisht në raportimet e mediumit.

  • Mangësi në aspektin vizual në objekt.
  • Nyejt sanitare dhe kabinat në gjendje jo të mirë.
  • Me dëmtime dhe mungesë të mirëmbajtjes.
  • Higjiena e përgjithshme jo në nivelin e duhur.
  • Instalimet dhe pajisjet të dëmtuara ose gjysmë funksionale.
  • Ventilimi dhe ndriçimi në nivel jo të kënaqshëm.
  • S’ka mjete higjienike për mirëmbajtje dhe pastrim.

Këto janë vetëm disa nga gjetjet për gjendjen e tmerrshme në kampin e specialëve të dokumentuara nga ekipi inspektues i Inspektoratit Sanitar, të cilët vizituan kampin pas raportimeve të VOX Kosovës.

Raportime që u mohuan fillimisht nga Policia, por që tash dëshmohen edhe nga institucionet e shtetit me raport përfundimtar.

Siç e thotë raporti, inspektorët kanë konfirmuar edhe se disa kabina nuk përmbushnin kushtet higjieniko-sanitare e teknike, andaj edhe kanë urdhëruar “bllombimin” e tyre duke lënë në përdorim vetëm disa nga to.

Për krejt këtë gjendje, Inspektorati Sanitar që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë ka dhënë 30 ditë afat që të rregullohet gjendja teknike e higjieniko-sanitare aty.

Sipas raportit të Inspektoratit, në kuzhinë veçse janë bërë disa ndërhyrje, por specifikohet që është e nevojshme të përfundojnë të gjitha ndërhyrjet e urdhëruara.

Për gjendjen po vazhdon të refuzojë të flas Xhelal Sveçla, njeriu që shfaqet kur operacionet e policisë kanë sukses, e zhduket kur dëshmohen kushtet e tmerrshme në të cilat operojnë ata policë.

Sveçla mbase nuk ka hallin e policëve edhe për faktin se, siç konfirmon raporti i inspektorëve, e vetmja hapësirë që i plotësonte kushtet në Kamp, ishte dhoma e komandës dhe kontrollit, aty ku qëndron vetë Svecla, kur e viziton kampin për nevoja propagandistike.

Për policët, veç Sveçlës, hallë s’ka më as deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, i cili krejt fushatën për zgjedhjet e fundit e kishte bërë në Veri, duke reklamuar sukseset e policisë e përvetësuar ato si të partisë.

Tash, përveç që refuzon të flas, voton edhe kundër, bashkë me krejt bashkëpartiakët e tij në komision parlamentar, kur u shtrua kërkesa për vizitë inspektuese nga deputetët në kamp.

Edhe një herë, fondet për ta rregulluar krejtësisht kampin ekzistojnë.

Ato janë ndarë. Janë paraparë në buxhet, por pa asnjë shpjegim, kurrë s’u intervenua në kamp.

Dhe për fund, kush jep përgjegjësi për shpifjet që ka bërë llogaria zyrtare e Policisë së Kosovës?

Ku janë ato “lokacione të reja”? Ku janë “12 projekte investuese”? Kush e detyroi Policinë të dalë me këtë reagim? Dhe mbi të gjitha, kjo për Xhelal Sveçlën, ku shkuan mbi 7 milionë euro të planifikuara për investim në “shtëpinë” e Njësive Speciale të Policisë?