Rritja e Bruto Produktit Vendor të Kosovës ka rënë nga mbi 4% sa ka qenë në vitin 2024 në 3.5% në tremujorët e parë të vitit 2025, e inflacioni është rritur nga 0.4% në vitin 2024 në 5.3% në dhjetor 2025, bazuar në një raport të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Raporti ka theksuar se e ardhmja e ekonomisë së Kosovës po rrezikohet nga jo-stabiliteti politik, dobësia e Kosovës në ekonominë e eurozonës e nga rënia e remitancave.
“Rreziqet për perspektivën lidhen me paqëndrueshmërinë e mundshme politike, dobësinë ekonomike në eurozonë dhe rënien e remitancave”, shkruhet në raportin e BERZH-it.
Në të po ashtu theksohet se Kosova është në mesin e vendeve që është goditur më së shumti në rajonin e fushëveprimit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nga pakoja e re e tarifave të Shteteve të Bashkuara.
Ndërsa në vendet e tjera nën ombrellën e BERZH-it tarifat e importit janë rritu për 0.3 pikë të përqindjes, në Kosovë dhe disa vende tjera ato janë rritur për 1.1 pikë të përqindjes.
“Rritja e tarifave për Armeninë, Egjiptin, Kenian, Kosovën e Ukrainën lëviz nga +3.7 deri në +4.8 pikë përqindjeje”, thuhet në raport.
Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia dhe Tunizia raportohen të kenë përfituar nga tarifat e reja, pasi në këto vende rritja e tarifave ose ka qenë shumë e vogël ose ka qëndruar në të njëjtin nivel.
“Fituesit më të mëdhenj, nga ana tjetër, ishin Bosnja dhe Hercegovina (-12 pikë përqindje), Serbia (-12 pikë përqindje), Moldavia (-9 pikë përqindje) dhe Tunizia (-8 pikë përqindje)”, thuhet në raport.









