Procesi i rinumërimit të plotë të votave mund të zgjasë 12 deri në 14 ditë.

Kështu ka bërë të ditur Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në një përgjigje për VOX Kosova, i cili tregoi se është shtuar numri i ekipeve të numërimit.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është shtuar numri i ekipeve të numërimit. Aktualisht, janë 38 ekipe të tilla vetëm gjatë një ndërrimi pune, pra 76 gjithsej. I gjithë procesi i rinumërimit të 1,947 vendvotimeve / kutive të votimit, mund të zgjasë nga 12 – 14 ditë”, tha Elezi.

Në mbledhjen e së hënës, KQZ mori vendim që të numërohen të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi që pas rinumërimit të pjesshëm u shpërfaqën manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.

Nga fillimi i procesit, Elezi tha se në QNR janë rinumëruar 610 vendvotime. “Pra, gjatë ditëve në vazhdim, në përgjithësi do të rinumërohen 1,947 vendvotime”.