Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Slavko Simiç i Listës Serbe dhe Emilja Rexhepi e grupit multietnik janë pesë nënkryetarët e rinj të Kuvendit të Kosovës që u votuan në seancën kostituive të së mërkurës.
Për këta pesë nënkryetarë, 104 deputetë votuan për, tre ishin kundër dhe 6 abstenuan.
Paraprakisht, me 66 vota për, Albulena Haxhiu u zgjodh Kryetare e Kuvendit.
Tashmë Kuvendi i Kosovës i dalur nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit është i konstituuar në tërësi.
Në legjislaturën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje kishte kundërshtuar dhe votuar kundër që Simiç të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit, ndërsa tani nuk patën asnjë kundërshtim, por i votuan të gjithë nënkryetarët në pako, përfshirë edhe Simiç-in.









