Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar të premten edhe një zëvendësministër.

Triera Kasumi-Berisha nga Partia Guxo – pjesë e koalicionit qeverisës – është emëruar në pozitën e zëvendësministres në Ministrinë e Ekonomisë.

“Kryeministri në detyrë Kurti e uroi Kasumi-Berishën për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Përveç Kasumi-Berishës, si Kryeministër në detyrë, Kurti ka emëruar edhe tre zëvendësministra të tjerë.

Në fillim të majit, Kurti emëroi Kryetarin e Degës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehanin, në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Financave.

Ali Dulën, ish-kandidatin e Vetëvendosjes për Kryetar të Rahovecit, e emëroi në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë për Zhvillim Rajonal, ndërsa Agon Batushën në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti që nga 28 prilli është në detyrë, pasi që Kuvendi u shpërnda për shkak të mos zgjedhjes së Presidentit dhe vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 7 qershor.