Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përkrahur protestën e së premtes në Tiranë kundër Gjykatës Speciale, derisa ka theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri.

“E mbështes këtë protestë dhe kam mbështetur secilën protestë e cila thërret për drejtësi”, tha Osmani para gazetarëve.

Presidentja theksoi se qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët gjithandej asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë tjetër pos drejtësi. “Drejtësi e cila respekton parimet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, shtoi.

“Dhe, siç e dini Kosova dhe më konkretisht krerët të cilët tani përballen në Hagë, pikërisht pse kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur para saj, tashmë po bëhen pesë vite pa asnjë dyshim në drejtësinë ndërkombëtare”.

Ajo pohoi se si institucione të Kosovës, “vazhdimisht kërkojmë që parimet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të respektohen dhe unë i jap plotësisht të drejtë qytetarëve tanë dhe i mbështes ata sa herë ata protestojnë për të kërkuar pikërisht respektimin e këtyre standardeve”.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë për liri, luftë për ta mbrojtur popullin tonë, luftë për ta çliruar Kosovën nga okupimi që ka zgjatur për shekuj dhe luftë që ka pasur në fokus mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe mbrojtjen e qytetarëve të pafajshëm të cilët sulmoheshin, vriteshin dhe masakroheshin nga ushtria serbe”.

Për këdo, që e ka parë me sytë e vet se çfarë ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë, Osmani deklaroi se dihet shumë qartë. “Ka qenë vetëm një agresor dhe ajo ka qenë Serbia, dhe ka qenë vetëm një viktimë dhe ajo ka qenë Kosova, populli i Kosovës”.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës, ka mbrojtur me dinjitet Republikën e Kosovës dhe drejtësinë e kësaj lufte ne do ta mbrojmë deri në fund”.