Vetëvendosja në vazhdimësi i është përgjigjur ngadalë kërkesave amerikane, ka thënë ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

“Kur disa çështje kyçe janë paraqitur, Vetëvendosja lëvizte ngadalë për t’iu përgjigjur gjërave që ishin identifikuar nga zyrtarët e ShBA-së ose të BE-së si prioritare”, ka deklaruar Hovenier në emisionin Rubikon që transmetohet në Klan Kosova.

Madje, Hovenier theksoi se VV-ja ngadalë i është përgjigjur edhe kërkesave amerikane për projekte bashkëpunimi sa i përket gazit, policisë, ushtrisë, NATO-s e Bordit të Paqes.

“Flasim për projektin e bashkëpunimit për gaz, për disa gjëra që ishin gjatë kohës sime, për sa i përket koordinimit më të mirë policor dhe ushtarak me ushtrinë dhe NATO-n, po ashtu ngadalësinë e Vetëvendosjes për t’iu përgjigjur ftesës së Trump-it për Bordin e Paqes”, potencoi ai.

Veprime të tilla, sipas Hovenier-it, VV-ja ka bërë edhe në raste ku mund të jepte menjëherë përgjigje.

“Kishte momente me ç’rast Qeveria do të mund të tregonte menjëherë përgjigje dhe solidaritet me kërkesat e ShBA-së ose momente kur Qeveria mundohej të çlirojë ose të lëvizte më ngadalë. Dhe ky ka qenë shabllon në disa prej këtyre çështjeve të ndjeshme që nga Qeveria e parë e Kurtit”.