Partia Demokratike e Kosovës ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e brendshme partiake, deri te pozita e Kryetarit të partisë. Kjo është diskutuar në mbledhjen e kryesisë së PDK-së, e cila është mbajtur të mërkurën.
“Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të kryesisë, ku temë qendrore e diskutimit ishin përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e organizimit, nga nëndegët deri te pozita e kryetarit”, thuhet në komunikatën për media të PDK-së.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, siç citohet, theksoi rëndësinë e një procesi korrekt dhe transparent, “duke garantuar përmbajtje dhe standarde të larta demokratike në çdo hap të tij”.
“Në këtë kuadër, u vendos formimi i një grupi punues, i cili do të ketë përgjegjësi për përgatitjen teknike dhe ligjore të këtij procesi zgjedhor. Ky grup do të kujdeset për orientimin, mbarëvajtjen dhe strategjinë e përgjithshme, duke siguruar që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe të drejtë”.
Aty theksohet se afati i përcaktuar për fillimin e zgjedhjeve të brendshme është muaji shtator, “duke i dhënë kohë të mjaftueshme strukturave organizative për përgatitje të plotë dhe gjithëpërfshirëse”.
“Kryesia e PDK-së riafirmoi përkushtimin e saj për një proces demokratik, të drejtë dhe përfaqësues, në përputhje me standardet dhe traditën politike të PDK-së”.
Këto zhvillime në PDK po vijnë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Kjo parti u rendit e dyta me rreth 20 për qind të votave, duke marrë 22 deputetë.









