Edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme duke qenë se askush nuk e ka shumicën parlamentare.

“Nga ky takim u bë e qartë se askush nuk mundet me e kriju shumicën parlamentare bazuar në legjislaturën aktuale”, tha Krasniqi për gazetarët pas takimit të Presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive politike.

Kjo, sipas tij, “do të ishte e mjaftueshme që sot edhe Presidentja e vendit të vinte në një konkludim të tillë dhe pastaj të vepronte në drejtim të shpalljes së zgjedhjeve, të cilat tashmë janë të imponuara”.

Në këtë moment, ai vlerëson se “rruga përpara është shpallja e zgjedhjeve”.

“Kemi kërkuar që të ndodhë sa më shpejt duke pasur parasysh që Kosova ka nevojë për një stabilitet, për institucione legjitime, për Kuvend funksional dhe për një qeveri të re”, shtoi.