Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se në takimin me Presidenten Vjosa Osmani, kanë propozuar 21 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Kemi diskutuar për datat e mundshme për zgjedhje, qëndrimi ynë si PDK është edhe kemi kërkuar që data për zgjedhje të jetë data 21”, ka thënë Hamza për gazetarët.
Arsyet që kanë propozuar këtë datë, ai tha për shkak se ka pasur pas një shtyrje të vazhdueshme, një bllokadë në krijimin e institucioneve “që bjen kryesisht mbi barrën dhe përgjegjësinë e partisë që ka fituar numrin më të madh të votave dhe vendi ka nevojë që sa më shpejtë të ketë institucione”.
“Nuk shkon të njëjtën kohë edhe me kërku urgjencë në krijimin e institucioneve, por me kërku edhe datë sa më të vonshme për me i mbajtë zgjedhjet”.
“Data tjetër që është përmendur në takim ka qenë data 28 dhe ne kemi qenë në favor të datës 21 për më shumë se një arsye, sepse data 28 është datë para ndërrimit të vitit”.
Hamza ka thënë se në zgjedhjet e reja do të garojë me një ekip të mirë, me një program të mirë, të matshëm, të zbatueshëm dhe me një listë të mirë.
“Jemi të përgatitur si parti politike, sepse kjo punë është ditë qysh moti që të gjitha veprimet janë duke u bërë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme”, tha ai.









