Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë nisur një takim tjetër në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Albin Kurti, para takimit, u tha mediave se vullnetin e kanë të mirë dhe mundësitë për një rezultat pozitiv janë reale.

Ndërkohë, Lumir Abdixhiku, i pyetur se a do të kenë sot një emër për president, nuk dha përgjigje.

Kurti dhe Abdixhiku janë takuar disa herë ditëve të fundit, ndërsa diskutimet mes tyre janë përqendruar kryesisht në gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit.

VOX Kosova ka raportuar se Kurti e Abdixhiku janë pajtuar për një emer konsensual për President.

Bëhet fjalë për Bekim Sejdiun, që këta të dy janë pajtuar në parim që ta kenë kandidat për President të Kosovës.

Sejdiu është ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai ka qenë gjyqtari raportues në rastin KO95/20, rastin që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.