Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar edhe një herë Kryesuesit të Seancës konstituive, Avni Dehari, me kërkesën e njëjtë: që ta thërrasë seancën.
PDK konsideron se moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar një situatë “të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
“Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, theksohet në letrën e PDK-së.
Ndër të tjera, në letër thuhet se nuk është në kompetencën e bazën e vlerësimeve të Deharit të vendosë se kur duhet të vazhdojë ky proces.
“Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, vijon letra drejtuar Deharit.
PDK ka thirrur konferencë për media në ora 11:00 në hollin e Kuvendit.









