Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Rahovec i është bashkuar degëve që po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda partisë.
Kryetari i kësaj dege, Burim Krasniqi, ka bërë të ditur se delegatët e Rahovecit kanë dhënë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, me kërkesë për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Krasniqi ka deklaruar se Abdixhiku duhet të japë dorëheqje pas rezultatit zgjedhor.
“Dega jonë në Rahovec kemi kërkuar që zgjedhjet të mbahen në të gjitha strukturat e LDK-së, degët, nëndegët dhe në nivel qendror për shkak të rezultatit jo të mirë zgjedhor. Dega jonë ka dhënë nënshkrimet (për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së për shkarkimin e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku)”, ka thënë ai.









