Nënkryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili, ka bërë të ditur arritjen e marrëveshjes së koalicionit me Lidhja Demokratike e Kosovës për qeverisjen në Prishtinë.
Ismaili, në një deklarim në emisionin “Pressing” në T7, tha se tashmë është arritur marrëveshja politike dhe se procesi i bashkëqeverisjes pritet të fillojë menjëherë.
“Ka një koalicion, kemi bë koalicionin me z. Rama…”, u shpreh ai, duke konfirmuar marrëveshjen për Prishtinën.
Ai shtoi se nuk ka qenë fillimisht shumë entuziast për këtë zhvillim, por sipas tij situata politike në nivel qendror ka ndikuar edhe në Prishtinë.
“Nuk kam qenë shumë entuziast, por po na përcjellin krizat në nivel nacional e po na përcjellin në Prishtinë”, tha Ismaili.
Duke folur për rolin e PDK-së në këtë marrëveshje, ai theksoi se partia e tij ka një pozicion kyç në stabilitetin politik të kryeqytetit.
“E kam pa që PDK është çelësi që mund të ketë një koalicion të suksesshëm apo dryri që e krijon një bllokadë…”, shtoi ai.
Sipas tij, koalicioni pritet të formalizohet plotësisht nga nesër, ku ekipet e reja do të fillojnë marrjen e përgjegjësive në qeverisjen komunale në Prishtinë.
I pyetur nëse PDK do të ketë post të nënkryetarit në Prishtinë, Ismaili zbuloi se do të ketë një nënkryetare grua nga subjekti i tij.









