Petrit Ajeti do të jetë edhe për 5 vjet në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Kështu ka bërë të ditur Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë nënshkruar vendimin për vazhdimin e mandatit për Ajetin.

“Ky vendim pasqyron besimin tonë në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij në mbrojtje të sigurisë kombëtare, si dhe në forcimin e institucioneve tona të sigurisë”, shkroi Haxhiu.

Gjatë këtij takimi, ajo theksoi se kanë falënderuar Ajetin “për punën e shkëlqyer dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të kaluar”.

Për herë të parë, Ajeti ishte emëruar drejtor i AKI-së më 14 prill 2021. Vendimin për emërimin e tij e kishin marrë Kryeministri Kurti dhe Vjosa Osmani, e cila atë kohë ka qenë Presidente e Kosovës.