Agon Bytyqi do të jetë edhe për pesë (5) vjet të tjera si zëvendësdrejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Vendimi është marrë të mërkurën nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Sot, bashkë me Kryeministrin Albin Kurti, nënshkruam vendimin që z. Agon Bytyqi të vazhdojë edhe për pesë vjet në detyrën e zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Ajo theksoi se përvoja e tij, njohja e institucionit dhe “përgjegjësia e dëshmuar gjatë mandatit të parë janë të rëndësishme për vazhdimësinë dhe punën profesionale të AKI-së në mbrojtje të sigurisë së vendit”.
Më 14 prill, mandati iu ishte vazhduar edhe Petrit Ajetit si Shef i AKI-së.
“Ky vendim pasqyron besimin tonë në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij në mbrojtje të sigurisë kombëtare, si dhe në forcimin e institucioneve tona të sigurisë”, shkruante Haxhiu.
Për herë të parë, Ajeti ishte emëruar drejtor i AKI-së më 14 prill 2021. Vendimin për emërimin e tij e kishin marrë Kryeministri Kurti dhe Vjosa Osmani, e cila atë kohë ka qenë Presidente e Kosovës.









