Përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e Presidentit i takon shumicës parlamentare, Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha kohë edhe 34 ditë deputetëve që ta zgjedhin të parin e shtetit.

Këto komente, Abdixhiku i ka bërë pas një takimi që ka pasur të premten me Emanuele Giaufret, Zëvendësdrejtorin Menaxhues për Evropën Perëndimore në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.

Gjatë këtij takimi, siç njofton LDK-ja, Abdixhiku diskutoi për qëndrimin e LDK-së për zhvillimet politike aktuale në vend, me theks të veçantë mbi situatën e krijuar rreth çështjes së zgjedhjes së Presidentit dhe rolin e institucioneve të Kosovës në këtë proces.

“Ai nënvizoi se përgjegjësia kryesore për përmbylljen e këtij procesi i takon shumicës parlamentare, duke shprehur bindjen se ky proces duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje politike dhe jo me imponim”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja në procesin zgjedhor do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur.

“Në lidhje me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, Kryetari Abdixhiku theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces zgjedhor, duke besuar se ka mundësinë për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe zhvillimore për vendin”, shtohet aty.

Jashtë kësaj, thuhet se Abdixhiku shprehu mirënjohjen e LDK-së për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian ia ka ofruar Kosovës gjatë të gjitha proceseve, “duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të BE-së në forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe orientimit evropian të vendit”.

“Ai theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e ekonomisë, zhvillimit dhe integrimit evropian, duke e konsideruar këtë si një hap thelbësor në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe më të mirë për qytetarët tanë”.