Ish-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova pret që çlirimtarët të kthehen në atdhe.

Reagimi i Krasniqit vjen kur kanë mbetur më pak se 24 orë nga shpallja e verdiktit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se liria nuk mund të gjykohet.

“24 ORË. LIRI. DREJTËSI. Historia nuk mund të rishkruhet. Liria nuk mund të gjykohet. Çlirimtarë, ju presim në atdhe! Dje, sot, nesër dhe përgjithmonë – UÇK!”, shkroi ai.

Të mërkurën e 16 shtatorit, nga ora 10:00, Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpall aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Krerët e UÇK-së gjenden në qendrën e paraburgimit që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Prokuroria e Speciales i akuzon ata për krime të pretenduara lufte dhe ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin.

Nga ana tjetër, të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.