Veç edhe 13 ditë afat kushtetues kanë mbetur për ta zgjedhur Presidentin, por partitë politike ende nuk e kanë gjetur një marrëveshje që do i jepte zgjidhje kësaj çështje. Nga Vetëvendosje, po tentojnë që fajtor ta bëjnë opozitën. Nëse nuk zgjidhet Presidenti brenda këtij afati kohor, atëherë Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se është në komunikim me partitë opozitare për çështjen e Presidentit, duke shtuar se kur të ka rezultate do të njoftojë.
“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare, kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”, tha Kurti pas tryezë “Kosova: Nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”.
I pyetur se me cilin lider do të takohet këtë javë, Kryeministri nuk ka treguar.
Për këtë çështje foli edhe Glauk Konjufca, Ministri i Punëve të Jashtme dhe i propozuari nga VV për President. Në përpjekje e sipër për ta hequr fajin nga vetja, Konjufca tha “shkojmë në zgjedhje të reja nëse ky është vullneti i opozitës, nuk kemi çfarë të bëjmë”.
Në një prononcim për gazetarët të mërkurën, Konjufca tha se është i gatshëm të tërhiqet nga kandidatura për President nëse opozita e propozon një emër të pranueshëm për Vetëvendosjen.
“Në momentin që opozita e qet një kandidat të përbashkët, unë menjëherë do ta bëja këtë punë, gjëja e parë që do ta bëja. Shumë më e rëndësishme është që Kosova ta ketë Presidentin e vetë se sa ai ta ketë emrin Glauk Konjufca”, tha Konjufca.
Fajin pse Kosova nuk ka akoma President, kryediplomati kosovar ia hodhi opozitës, të cilët theksoi se nuk kanë propozuar emra.
“Unë qysh e kam parë deri më tani, të dy subjektet politike nuk e kanë qenë të vullnetshme me propozu emra. Kjo është edhe arsyeja pse jemi këtu ku jemi. Nuk po më duket që deri tash kemi gjetur një zgjidhje. Natyrisht duhet të besojmë në zgjidhje deri në fund”, shtoi ai.
Kosova që nga 5 prilli është me ushtrues detyre të Presidentit. Pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të Vjosa Osmanit, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, mori përkohësisht edhe postin e të parës së shtetit.
Hera e fundit kur pati takime për Presidentin ishte e hëna e 6 prillit. Diskutuan Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Takimi përfundoi pa asnjë rezultat. Të shtunën, Abdixhiku foli përsëri për këtë takim. Ai tha se nuk pranojnë që një parti, në këtë rast Vetëvendosja, t’i ketë tri pozitat kryesore shtetërore, derisa tregoi se nuk i mbështesin asnjërën nga kandidaturat e VV-së – Glauk Konjufcën dhe Fatmir Kollçakun, të cilat theksoi se kanë qenë të vetmet që janë diskutuar në takimin e së hënës me Kurtin.
“Kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha Abdixhiku, duke theksuar se nuk ka propozuar emra për President.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e ish-Presidentes Vjosa Osmani, ku u konstatua se dekreti i saj s’ka efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve 34 ditë kohë për ta zgjedhur Presidentin, Kurti nuk është takuar me Kryetarin e partisë më të madhe opozitare, me Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës.
PDK ka thënë se po presin ftesë zyrtare nga Kurti, i cili, sipas tyre, ende nuk e ka bërë këtë lëvizje.









