Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjersa është pyetur nga gazetarët se “pse s’po e kandidon Vjosa Osmanin, sërish për Presidente”, u përgjigj duke thënë se ai duhet të sigurohet se i ka votat e mjaftueshme, në të kundërtën siç thotë ai “po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje”.
“Ne duhet t’i kemi 80 veta, të cilët qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë që nuk mund të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje. E kemi prioritet absolut në situatën aktuale politike evitimin e zgjedhjeve. Duhet të sigurohemi që jo t’i kemi 80, por duhet të sigurohemi që t’i kemi 84 ose 85. Dhe për këtë është duke u bërë beteja me këto komunikime e me këto takime të cilat po i zhvillojmë”, tha i pari i Qeverisë.
Kurti ritheksoi se koalicioni i tij ka 66 vota, dhe situata në të cilën i duhen edhe 14 të tjera “është e vështirë”.
“Së bashku me pakicat, përbëjmë mazhorancën prej 66 deputetëve, por nuk i kemi edhe 14, ende, që të sigurohemi që gjithçka do të shkojë mbarë e mirë në ditën kur duhet ta zgjedhim Presidentin e Republikës. Tash ju e keni parasysh, unë herën e kaluar me 56 deputetë u përpoqa që të zgjedhem Kryeministër për t’i arritur 61. Nuk u bë e mundur përkundër faktit që a gjithçka u stërzgjat për shumë muaj. E tash nuk jemi vetëm pesë deputetë larg, tash jemi 14 deputetë larg, që e bën situatën më të vështirë”, shtoi.
Sipas Kurtit, me votat që ka koalicioni që udhëheq ai si dhe partitë opozitare, në Kuvend mund të propozohen edhe tre kandidatë për President.
“Por, si Lëvizje Vetëvendosje, ne kemi mundësi që ta nxjerrim një kandidat sepse i bëjmë 30 nënshkrime. Nevojiten 30 nënshkrime të deputetëve për të pasur kandidaturë. Bashkë edhe me pakicat, që i kemi në mazhorancë, mund t’i nxjerrim edhe dy kandidatë, për shkak se me 66 veta, mund t’i bësh 60 nënshkrime. Tash edhe opozita nëse nuk e përfshin Listën Serbe janë 43 deputetë. Pra edhe opozita mund të nxjerrë kandidat. Kushtetuta na obligon që të mos shkojmë në zgjedhje. Që t’i evitojmë zgjedhjet”, shtoi.
Megjithatë, ai tha se komunikimet do të vazhdojnë pasi që në rrethanat aktuale “figurë konsensuale nuk ka”.
E për këtë, ai fajëson Partinë Demokratike të Kosovës.
“Ndërkaq në anën tjetër, marrëveshje politike po ashtu nuk kemi, sidomos prej se nga PDK-ja u tha që propozimi duhet të jetë partiak. E kjo e bën më të ndërlikuar çështjen”.
Afatet ligjore përcaktojnë se Presidenti duhet të zgjidhet deri më 04 mars.
Nëse as pas kësaj date s’ka zgjidhje, Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Mandati aktual i Vjosa Osmanit përfundon më 04 prill.








