Lista Studentore, e lindur nga një tragjedi hekurudhore, fitoi shumicën absolute në Serbi. Por, për Kosovën, fituesit flasin me gjuhën e njeriut që mundën.
Natën e së dielës së 25 tetorit, turma të mëdha festuan në sheshin “Slavija”, dhe makinat që kalonin pranë Kuvendit buçisnin me bori. Pak orë më parë, Aleksandër Vuçiç, njeriu që e kishte drejtuar Serbinë për 14 vjet, kishte pranuar publikisht atë që pak kush e priste: kishte humbur.
Fituesi nuk ishte një parti e vjetër opozitare, as një lider karizmatik. Ishte Lista Studentore, një listë prej 250 kandidatësh të zgjedhur nga mbledhje studentore, pa kryetar dhe pa asnjë student mes emrave. Sipas rezultateve paraprake të komisionit zgjedhor, ajo mori rreth 52,7 për qind të votave dhe 140 nga 250 ulëset në Kuvend, shumicë absolute. Lista e Vuçiç-it, e udhëhequr nga Partia Progresiste Serbe, mori 39,2 për qind, apo 104 ulëse.
Për shumë serbë, fitorja përfaqëson një kthesë. Për Kosovën, nuk do të thotë asgjë. Në çështjet që përcaktojnë të ardhmen e Ballkanit, fituesit mbajnë të njëjtat qëndrime si të Vuçiç-it: kundër pavarësisë së Kosovës. Dallimet, nëse mund të quhen të tilla, janë të tonit, të menaxhimit të parave që Serbia i dërgon për serbët e Kosovës apo të ngjashme. Thelbin nuk e prekin.
Për ta kuptuar këtë, duhet parë se nga erdhi lista.
Më 1 nëntor 2024, hajati prej betoni i stacionit hekurudhor të Novi Sadit, i rinovuar së fundmi, u shemb dhe si pasojë mbetën të vrarë 16 vetë. Shpejt filluan akuzat për korrupsion, mbikëqyrje të dobët dhe parregullsi në prokurimet publike. Javë më vonë, studentë dhe pedagogë që mbanin një vigjilje në Beograd u sulmuan. Katër ditë pas sulmit, studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike bllokuan fakultetin e tyre, dhe pas tyre u ngritën fakultete të tjera.
Studentët u organizuan përmes plenumeve, mbledhjeve ku të pranishmit debatojnë dhe votojnë çdo vendim, dhe e shmangën me vetëdije çdo udhëheqës të vetëm. Kërkesat e para ishin teknike: publikimi i dokumenteve të rinovimit të stacionit, përgjegjësi për sulmuesit, heqja e akuzave ndaj protestuesve të arrestuarve dhe 20 për qind më shumë financim për universitetet. Lëvizja shpejt doli nga kampuset. Një sondazh i CRTA-s i janarit 2025 tregoi se 61 për qind e të pyeturve i mbështesnin protestat. Kryeministri i atëhershëm serb, Milosh Vuçeviç dha dorëheqje, por protestat vazhduan. Më 15 mars 2025, në Beograd, dolën 275 mijë deri në 325 mijë vetë, shifër që regjimi i Vuçiç-it e tkurrte.
Për muaj, studentët thoshin se nuk kishin interes për politikën partiake. Më 5 maj 2025 kërkuan zgjedhje të parakohshme, dhe brenda po atij muaji njoftuan se do të kishin listën e tyre, pa studentë mes kandidatëve. Në zgjedhjet e pjesshme lokale që pasuan, listat e mbështetura prej tyre humbën me rezultat tejet të ngushtë në disa komuna. Ngjashëm ndodhi edhe në disa zgjedhje të tjera të pjesshme lokale që pasuan më pas në Serbi. Koalicioni në pushtet fitoi.
Ky është konteksti i fitores së tetorit. Pas muajsh bisedimesh dhe presioni publik, shumë parti opozitare, mes tyre Partia Demokratike dhe Fronti i Gjelbër–i Majtë, vendosën të mos garojnë dhe t’i hapin rrugën listës. Më 9 shtator, ditën kur u thirrën zgjedhjet në Serbi, tashmë të përgatitur, u themelua grupi i qytetarëve përmes të cilit lista garoi formalisht. Më 15 shtator, komisioni zgjedhor vërtetoi mbi 69 mijë nënshkrime të vlefshme, shtatë herë mbi pragun ligjor prej 10 mijë.
Lista është më tepër një projekt kolektiv sesa një parti. Kandidatët nuk duhet të ishin studentë, as njerëz që kanë qenë ndonjëherë në Partinë Progresive, as funksionarë të partive opozitare. Plenumet kishin të drejtë vetoje dhe e përdorën: rektori i Universitetit të Beogradit, Vladan Gjokiç – mbështetës që nga fillimi i studentëve – që përmendej shpesh si udhëheqës i mundshëm, u vetoua me shumicë të ngushtë. Në krye të listës u vendos kardiologu Ilija Srdanoviç nga Novi Sadi, por lista thotë se nuk ka lider, dhe se kryeministrin do ta caktojë shumica e deputetëve të saj. Mes kandidatëve janë edhe ish-guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, Dejan Soskiç, dhe ish-basketbollisti, Dejan Bodiroga.
Programi i listës, një “plan studentor” me 11 pika, flet pothuajse tërësisht për çështje të brendshme: një polici të veçantë nën kontrollin e prokurorisë, ligj për origjinën e pasurisë, transparencë në prokurime, tekste shkollore falas, banesa për çiftet e reja.
Pesë ditë para zgjedhjeve, studentët bënë në Instagram një postim me titullin “Çfarë do të bëjnë stduentët për Kosovën?”, ku thonin se Kosova nuk është temë dytësore në prograimin e tyre dhe, njëjtë si Vuçiç, propaganduan se “është pjesë përbërëse e Serbisë”. “Kosova nuk është një çështje dytësore. Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë, ndërsa një zgjidhje e qëndrueshme mund të arrihet ekskluzivisht përmes rrugës paqësore, nëpërmjet dialogut, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 1244 dhe të drejtën ndërkombëtare”, thonin ata.
Në maj të këtij viti, gjatë një tubimi në Kragujevc, në Serbinë qendrore, Lista Studentore publikoi edhe “Memorandumin për Kosovën”, në të cilin Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme dhe përbërëse e Republikës së Serbisë”. Në njërën prej pikave thuhet se çështja e Kosovës “nuk mund të zgjidhet në izolim, por vetëm brenda zhvillimeve komplekse të bashkësisë ndërkombëtare” dhe se autoritetet në Serbi “duhet të bashkëpunojnë në mënyrë aktive dhe konstruktive me të gjitha organizatat përkatëse ndërkombëtare”, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme “brenda kuadrit të Kushtetutës së tyre”. Lista e kritikonte edhe heqjen e targave dhe dinarit serb nga Kosova si dhe mbylljen e institucioneve ilegale serbe në Kosovë.
Pas fitores, Srdanoviç i tha Radio Evropa e Lirë se dialogu me Kosovën vazhdon dhe se kjo përfshin zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Por, shtoi se marrëveshjet e dakorduara nga zyrtarët serbë mund të rishqyrtohen për përputhshmëri me Kushtetutën. Pyetjes nëse është gati të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti iu përgjigj se lista ende nuk ka marrë mandatin. Për ekstradimin e kryekriminelit, Millan Radoiçiç, të kërkuar nga Kosova, tha se nuk ka qëndrim personal, “sepse jam vetëm një nga anëtarët e listës që ende nuk e ka formuar Qeverinë”
Në të gjithë këtë ka një rezonancë të njohur. Vuçiç ka mbajtur të njëjtin kufi të cilën e proklamon edhe pushteti në ardhje në Serbi. Dallimi mes dy palëve për Kosoën është inekzistent.
Serbët e Kosovës nuk janë të gjithë të kënaqur me atë që i pret nga ndryshimi në Beograd. Në qendrat ku votuan, në Serbinë qendrore, lista e Vuçiç-it mori rreth 71 për qind, kundrejt rreth 21 për qind për Listën Studentore, sipas rezultateve paraprake. Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e krijuar në vitin 2013 me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Vuçiç-it, e priti rezultatin me heshtje të plotë. Ajo drejton të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe, në zgjedhjet e qershorit në Kosovë, mori nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për serbët.
Lista Studentore nga ana tjetër ka dhënë mesazhe se nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe. Jugoslav Gashiç, përfaqësues i Listës Studentore, tha se “ne e shohim Listën Serbe në të njëjtën mënyrë siç e shohim politikën e Partisë Progresive Serbe”. “Lista Serbe ishte kontraktori i SNS-së në Kosovë, me rezultate absolutisht katastrofike. Ne nuk duam asnjë kontakt dhe asnjë bashkëpunim me ta”, tha Gashiç.
Pyetja e vërtetë nuk është nëse fituesit e zgjedhjeve në Serbi e kanë një politikë për Kosovën. Kanë, e kanë thënë publikisht, dhe është në unison me të vjetrën. Pyetja është se a do të ndryshojnë në të ardhmen?
Përgjigjet nuk janë shkruar ende. Lista nuk ka emëruar kandidatin për Kryeministër; më shumë përmenden Srdanoviç dhe Soskiç. Rezultati përfundimtar nuk është shpallur, dhe sipas Kushtetutës së Serbisë, për t’u zgjedhur Qeveria, ka nevojë për 126 vota në Kuvend. Vuçic, që dha dorëheqjen si President më 27 shtator për të kandiduar për Kryeministër, e ka lënë postin te Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, deri te zgjedhjet presidenciale. Për Kosovën, nuk ka ende emër për kush do ta drejtojë politikën serbe, as përgjigje nëse do të takohen me Kurtin, as listë të marrëveshjeve që do të rishqyrtohen.
Deri atëherë, Lista Studentore ka hyrë në histori si ajo që e mundi Vuçiç-in. Në çështjen që prej dekadash e mban në tension rajonin, deri tani ajo nuk ka premtuar një rrugë tjetër.









