Prokuroria Speciale e Kosovës ka rrëzuar kallëzimin penal që Dardan Velijaj kishte bërë ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
“Prokuroria Speciale e Kosovës ka hedhur poshtë kallëzimin penal që Dardan Velija – i njohur edhe si Dardan Qebja, pasi u zu bashkë me Albin Kurtin duke vizituar vëllëzërit Donçiç në Klinë – e pati bërë kundër meje”, ka njoftuar Mehmetaj nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Prokuroria ka konfirmuar se shkrimet e Mehmetajt për Velijajn dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, rreth rastit kur policia i kishte zënë të mbuluar në një qebe në një veturë me vëllezërot Donçiç, nuk përbëjnë shpifje e as ndonjë vepër tjetër penale.
“Prokuroria konfirmon se shkrimet e mia për të dhe për Kurtin dhe rasti i treguar se si policia i zuri të mbuluar nën qebe në një veturë, nuk përbën as shpifje e as nuk përbën vepër tjetër penale, të cilat i ka pretenduar Velija”, ka shtuar Mehmetaj.
Kjo është e hera e disatë që Mehmetaj fiton raste të tilla kundër akterëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ky është rasti i kushedisat që unë e fitoj kundrejt këtyre strukturave, mbetje të gërditshme jugosllave që fatkeqësisht sot udhëheqin me shtetin e Kosovës të fituar me gjakun e dëshmorëve e patriotëve”, ka shkruar Mehmetaj.









