Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ndihma e Qeverisë Gjermane për ‘Pastrimin” dështoi, pasi që, siç theksoi ai, “nuk e nënshkroi [Ministri në detyrë i Financave] Hekuran Murati”.

“Atë që po e them tash e sa kohë, sot fatkeqësisht po e konfirmojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. KfW ka njoftuar se granti për ‘Pastrimin’ dështoi sepse Ministria e Financave nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Financimit”, shkroi Rama në Facebook.

Rama thekson se e kanë ndihmën e Qeverisë gjermane, e kanë partnerin, e kanë projektin, e kanë nevojën urgjente, por Hekuran Murati “nuk e nënshkruan”.

“Është e rëndë dhe e turpshme që para partnerëve tanë ndërkombëtarë duhet të shpjegojmë pse një projekt kaq i rëndësishëm për qytetarët tanë po dështon për shkak të Qeverisë sonë. Por, qytetarët nuk mund t’i lëmë të paguajnë çmimin e këtyre bllokadave”, potencoi ai.

“Prandaj kemi marrë vendim që të krijojmë Ndërmarrjen Komunale të Pastrimit! Do t’i përdorim krejt kompetencat që i kemi si Kryeqytet për ta zgjidhur këtë problem vetë. Pa pritur pafund”.

Rama e pranon se situata me mbeturinat është e rëndë dhe pohon se qytetarët me të drejtë kërkojnë zgjidhje. “Dhe zgjidhje do të bëjmë. Menjëherë. Me urgjencë, në seancën e radhës të Kryeqytetit”.