Vjosa Osmani e dha këtë intervistë të cilën më mirë të mos e jepte.

Vetë fakti se ka zgjedhur të japë intervistë ekskluzive te një gazetar që njihet si kundërshtar i Edi Ramës tregonte se ajo tashmë e ka përbrendësuar tregimin e militantit që i vjen në formë linçimi se ajo ia dredhi Kurtit me Ramën. Me idenë se populli do viktimën Osmani e luajti viktimën.

Por populli do viktimë që lufton jo viktimë të nënshtruar që përkundër gjithë linçimit e poshtërimit prapë mban fije shprese se ndoshta duke mos treguar krejt çfarë di për Albin Kurtin ata e falin. Duke mos e sulmuar dëshironte ta rikthente pak simpati të militantit të egër e barbar që ia ka ndërsyer Kurti i cili mjaftoi të thoshte në konferencë.

Vjosa Osmani kërkoi të ndalet linçimi publik ndaj saj duke thënë me të drejtë se akuza të tilla pa karar nëpër internet çojnë edhe në vrasjen e dikujt.

Por, refuzoi të kërkonte falje që në të kaluarën gaboi kur makineria e ndytë e Albin Kurtit linçonte të tjerët.

Refuzoi të kërkonte falje për shkrime të njëjtë si të militantëve që i bënte burri i saj kur akuzonte mediat për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”.

Refuzoi të kërkojë falje edhe për veten kur me stilin e Gestapos së Hitlerit lëshonte xixa në ajër se si kinse paska informacione nga shërbimet informative për disa gazetarë.

Refuzoi të kërkojë falje kur i lidhi paturpësisht gazetarët me Radojiçiç-in duke thënë se ata “kanë mizën pas veshit”.

Refuzoi të kërkojë falje që luajti lojën e Kurtit kur ia mohoi opozitës mandatarin dhe ia dha atë për herë të dytë Kurtit duke e mandatuar Glauk Konjufcën edhe pse e dinte paraprakisht se Vetëvendosja s’kishte numra.

Refuzoi të kërkonte falje, madje e pranoi se edhe vetë datën e zgjedhjeve të reja e caktoi për favore të Albin Kurtit.

Refuzoi t’i kërkonte falje ish-Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka të cilën e shkarkoi pa kompetencë dhe në shkelje të plotë të Kushtetutës.

Refuzoi të kërkonte falje për mos-dekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror Shteti përkundër se i njëjti përmes rrugëve ligjore kishte fituar këtë të drejtë duke u propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Nuk kërkoi falje as pse refuzoi t’u dilte në mbrojtje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese kur ata i linçonte me krejt çka kishte Vetëvendosja.

Refuzoi të kërkojë falje që kurrë nuk foli kur afër 20 herë me radhë Vetëvendosja e shkeli Kushtetutën si të ishte letër shtylle.

Refuzoi të kërkonte falje që nuk i doli në mbrojte kur Vetëvendosja tentonte ta linçonte ish-Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka e cila si një heroinë e vërtetë ndaloi Vetëvendosjen plot 16 herë t’i hipte sipër Kushtetutës së Kosovës.

Refuzoi t’u kërkonte falje prokurorëve e gjyqtarëve të Kosovës kur sulmoheshin me sistem të organizuar linçimi nga Vetëvendosje vetëm se ata ia hetonin ministrat hajdutë Albin Kurtit.

Refuzoi të kërkojë falje që qëndroi e heshtur si struci kur Albin Kurti si një bandit jo veç që refuzonte thirrjen e Prokurorisë por edhe i sfidonte se ata s’guxojnë as t’i shkojnë në zyrë.

Refuzoi të kërkonte falje që nuk e tha një fjalë të vetme kur Gjykata Supreme konstatoi se ministrat në detyrë të Albin Kurtit po bënin shkelje për secilin vendim që po merrnin dhe përkundër kësaj ata vazhdonin njëjtë duke shpërfillur krejtësisht verdiktin e organeve të drejtësisë.

Dhe më e rëndësishmja s’kërkoi falje që e hutuar pas pushtetit e luksit të pafundmë nuk ndjeu as nevojën minimale të mbronte shtetin i cili ia dha emrin Presidente.

Derisa sistemi i brishtë demokratik i Kosovës po kalonte në një autokraci para syve të saj, ajo shqetësimin e vetëm vazhdonte ta kishte veten e familjen.

Asgjë tjetër.

Ajo refuzoi për 5 vjet me radhë të bëhet mbështetje në luftën e atdhetarëve të vërtetë që u përballën çdo ditë me kasapët e Albin Kurtit me të vetmin qëllim ta bënin këtë vend të lëvizë sipas standardeve demokratike.

Në të kundërt u bë pjesë e një aparati të gënjeshtrave mashtrimeve spiunllëqeve dhe pabesisë të cilën veç sot guxon pak ta denoncojë.

Pra, intervista e Vjosa Osmanit është veç një gjest i vetëmbrojtjes publike, por i turpshëm.

Sepse as tash as kur Vetëvendosja e hodhi si leckë njëpërdorimshme e frikësuar në palcë nga Albin Kurti nuk pati guxim të qëndronte deri në fund në kritikë.

U zbyth, kërkoi mëshirë nga xhelati që veçse e ka ekzekutuar publikisht.