“Ai që e braktis anijen nuk duhet të hedhë gurë mbi anijen, por duhet të pranojë që ka zgjedhur një rrugë tjetër”, ka thënë Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për ish-Presidenten Vjosa Osmani, dikur bashkëpunëtore e ngushtë e saj.

E pyetur nëse flet me Osmanin, Gërvalla theksoi se kjo është një çështje mes saj dhe ish-Presidentes dhe se nuk është temë për publikun.

“Asgjë s’kam personale me Vjosa Osmanin, e as politike nuk them që kam. Tash kam, sepse tash jemi konkurrente, mirëpo unë nuk dua ta përqafoj shprehinë e keqe që me njerëzit me të cilët ke punuar me vite të tëra, pa prit e pa kujtu merr një vendim, del në krahun tjetër dhe fillon t’i shash ish-kolegët e tu”, ka thënë Gërvalla në një intervistë në Tëvë1.

Gërvalla pretendon se nuk i shan kolegët e saj, por që iu “dëshiron sukses në vizionin e tyre, sepse ata me siguri kur e kanë marrë vendimin për të shkuar atje, do të kenë qenë të bindur që kanë motive pozitive”.

“Unë nuk duhet të pajtohem me motivet e tyre, mirëpo unë kam qëndruar aty ku me Vjosa Osmanin dhe të tjerët kemi shkuar bashkë. As nuk e kam në plan të lëviz, të lëkundem e as të heq dorë nga vendosmëria për të vazhduar punët e mira që kemi nisur së bashku”, deklaroi Gërvalla ndër të tjera.