“Jeta vazhdon”.
Kështu ka qenë përgjigja e Kryetarit të Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për çështjen e punësimeve partiake që po ndodhin në Ndërmarrjen Publike “Higjena” në Deçan, ku tha se janë bërë “të pashmangshme”.
Fjala është për punësimin e Mentor Januzajt në Ndërmarrjen “Higjena”, i cili është anëtar i AAK-së, madje mban pozitën e Kryetarit të nëndegës së kësaj partie në fshatin Isniq të Deçanit.
Kjo çështje u ngrit në Kuvendin Komunal të Deçanit nga asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës atje, Ardian Binakaj.
Në fjalën e tij, Binakaj, derisa prezantoi dokumentet, tha se Januzaj është zgjedhur fillimisht anëtar i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes “Higjena”, e më pas edhe kryesues i këtij bordi.
“Bëhet fjalë për një person që ka qenë kandidat i AAK-së për zgjedhjet lokale, që ka qenë aktiv në strukturat e saj, së fundmi është zgjedhur edhe kryetar i një nëndege të AAK-së”, deklaroi ai.
Kjo, sipas tij, “është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, përkatësisht Nenin 17, paragrafin 17.2, pika k, ku thuhet se një person nuk mund të jetë drejtor nëse ‘gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike’”.
Sutaj e pranoi se është punësim partiak, por nuk iu duk diçka e jashtëzakonshme. Ai u arsyetua se këto nuk janë risi dhe ndodhin gjithandej Kosovës.
“Po zotëri Ardian, fatkeqësisht kështu me thanë të drejtën kjo nuk është risi në Kosovë, as në komunën e Deçanit, po as kurrkund, Jam t’u e komentu në atë aspektin që fatkeqësisht prej gjitha subjekteve politike, gjithë andej në komuna edhe në nivel nacional, edhe në nivel qendror janë bë thuajse të pashmangshme. Pashmangshëm, po absolut, absolut. Jo, jo nuk, nuk, nuk po e them që s’e keni me të drejtë këta në aspektin ligjor, po çka që këto po ndodhin, eee… Jeta vazhdon”, tha Sutaj.
Por, për Binakajn, fakti që Sutaj e pranon punësimin partiak është shqetësuese, prandaj edhe e ftoi Prokurorinë që ta hetojë këtë rast.
“Fakti që ju po e pranoni publikisht që ata janë emëruar kundërligjshëm aty e bënë edhe ma alarmante situatën. Andaj, unë po besoj që këtu situata qenka hala ma e thellë dhe e ftoj Prokurorinë që gjithsesi të merret me këtë çështje”, potencoi ai.
Punësimi i militantëve partiakë nëpër ndërmarrje publike në Deçan nga pushteti i Bashkim Ramosajt të AAK-së, sipas Binakajt, është bërë “praktikë” dhe assesi, konsideron ai, “nuk mund të konsiderohet më rastësi”.









