Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova mbetet “e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë me njohje reciproke”.
Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, pas takimit që Kurti ka pasur në Prishtinë me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Në njoftim theksohet se emisari Sorensen e uroi Kurtin me rastin e formimit të Qeverisë së re dhe për mandatin e tij të ri.
Bëhet me dije se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, “për sundim të ligjit dhe përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, si prioritete të qarta të agjendës sonë qeverisëse dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë me njohje reciproke”.









