Edhe këtë të premte (21 gusht), Partia Demokratike e Kosovës ka bllokuar hyrjen para Qeverisë në shenjë proteste për mosthirrjen e seancës konstituive nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryesuesit që vjen nga kjo parti, Avni Dehari.  Kësaj radhe, PDK-së i janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës si dhe asamblistë nga Lipjani.

 Sipas ish-deputetit të PDK-së, Fadil Demaku, zemërimi qytetar do të rritet nëse situata aktuale politike vazhdon. Pasojat, thotë ai, “do t’i bartë Albin Kurti”.

“Bëjmë thirrje që sa më shpejt të ndryshojë këtë qëndrim, sepse në këtë formë, nëse vazhdohet edhe më tutje, zemërimi i qytetarëve do të rritet dhe për pasojat, përgjegjësitë do t’i bartë ai në ditët në vazhdim”, tha Demaku.

Në anën tjetër deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se deputetë të Vetëvendosjes po ushtrojnë kundërligjshëm funksionet ministrore, duke e cilësuar këtë si “shkelje historike zinxhirore”.

“Historia do të tregojë se një kabinet qeveritar i përbërë prej 21 anëtarëve e prej tyre 17 njerëz janë betuar si deputetë edhe 17 njerëzve nuk ju vjen marre me shku prej Kuvendit në ministri me ushtru funksione të dyfishta kundërligjshëm”, tha Tahiri.

Partia Demokratike e Kosovës për të shtatën ditë po vazhdon aksionin para Qeverisë. Ajo po kërkon thirrjen e seancës konstituive, e cila sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të duhej të përfundonte më së largu deri më 7 gusht.

Vetëvendosje pavarësisht se ka numrat, po refuzon ta konstituojë Kuvendin, duke u thirrur nën arsyetimin se duhet arritur pajtueshmëri për emrin e Presidentit paraprakisht.