Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për të lejuar votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë me dokumente identifikimi të skaduara për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Ankesa në PZAP ishte dërguar nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD), e cila është pranuar nga PZAP. Për ta lejuar votimin në përfaqësi diplomatike me dokumente identifikimi të skaduara në përfaqësi diplomatike, KQZ kishte marrë vendim të mërkurën e 3 qershorit.

“ANULOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.01/1198/2026 i datës 03.06.2026, lidhur me Miratimin e Rekomandimit për Lejimin e Votimit me Dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në Qendrat e Votimit në Përfaqësitë Diplomatike”, thuhet në vendimin e PZAP-së, që u publikua të premten.

“Paneli, pasi shqyrtoi pretendimet ankimore, përgjigjen në ankesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimin e kontestuar dhe shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e bazuar. Paneli ka gjetur se nga shkresat e lëndës rezulton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 01/1198/2026, të datës 03.06.2026, ka miratuar rekomandimin për lejimin e votimit me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike”.

KQZ-ja, ka vlerësuar PZAP-ja, nuk ka pasur bazë ligjore që përmes një vendimi administrativ t’u mundësojë votuesve jashtë vendit të votojnë me dokumente identifikimi të skaduara, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon qartë paraqitjen e dokumenteve të vlefshme.

PZAP konstaton se dispozita ligjore është e qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime për këtë çështje.

“Në këtë rast ligji nuk ka përdorur vetëm termin ‘dokument identifikimi’, por shprehimisht ka kërkuar ‘dokumente të vlefshme të identifikimit’. Prandaj, vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i rëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit dhe dhënies së mundësisë për të votuar”.

Votimi në përfaqësi diplomatike të Kosovës nëpër botë do të bëhet një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, pra më 6 qershor.