Një grua 80-vjeçare në Prizren ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve që dyshohet se ia ka shkaktuar burri i saj.

Lajmin për VOX Kosova e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit. Ai bëri me dije se burri 81-vjeçar është arrestuar nga Policia.

“Më datë 26 gusht 2026, rreth orës 01:30, Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në një shtëpi banimi në Prizren është gjetur pa shenja jete një femër 80 vjeçare (L.D.). Në vendngjarje kanë dalë patrulla policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është hasur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor”, tha Bytyqi.

Ai theksoi se pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit e policisë, forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”. “Dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër”.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa i dyshuari, bashkëshorti i viktimës, rreth 81 vjeçar (B.D.), është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.

Bytyqi ka theksuar se sipas evidencave të policisë, “çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre”.

Bëhet me dije se hetimet për këtë rast janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit.