Tre nga katër personat që humbën jetën në aksidentin tragjik në një skele në një kantier ndërtimi në Vjenë të Austrisë janë shqiptarë nga Kosova, ka konfirmuar deri më tani ambasada e Kosovës në Austri.

Autoritetet austriake kanë njoftuar se ngjarja ka ndodhur pasditen e së martës në Alsergrund, gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.

Deri më tani, ambasada e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht se tre nga viktimat janë shtetas të Republikës së Kosovës. Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) dhe Istref Zekaj.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi”, thuhet në njoftim.

Nga ambasada kanë theksuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe se po ndjekin nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin.

Për këtë ngjarje tragjike kanë raportuar edhe mediat austriake. Sipas gazetës “Krone”, aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:00, në oborrin e brendshëm të një ndërtese banimi në rrugën Porzellangasse, në distriktin e 9-të.

Aty theksohet se gjatë punimeve të betonimit në kuadër të një zgjerimi të katit të sipërm, konstrukcioni dështoi papritur: i gjithë skela bashkë me kallëpin u shembën – pikërisht në momentin kur mbi të ndodheshin pesë punëtorë.

Dëshmitarët okularë e kanë përshkruar ngjarjen për gazetën austriake si situatë tejet dramatike: “Ishte një zhurmë jashtëzakonisht e fortë, pastaj dëgjova vetëm britmat e punëtorëve. Më pas filluan të bien sirenat”, tregoi një banor që e përjetoi aksidentin nga afër.

Për këtë ngjarje tragjike ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se i ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri.

“Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe”, shkroi Kurti.

Qeveria e Kosovës ai theksoi se është në komunikim të ngushtë me Ambasadën e Kosovës në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme.