Ndonëse Qeveria aktuale e Kosovës duket se është e prerë në refuzimin e projektit amerikan për gazin, refuzimi i saj për përfshirjen në këtë projekt nuk ka ndodhur vetëm këtë vit.
Ky projekt ishte refuzuar edhe në vitin 2021.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane ka treguar prapaskenat e këtij refuzimi. Arian Zeka tha se, në atë kohë, diskutimet për çështjen e gazit, Qeveria, edhe atëherë e udhëhequr nga Albin Kurti, i quante budallallëk.
Për më keq, sipas Zekës, në atë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pretendonte se gazi nuk ishte amerikan, por rus.
“Në shtatorin e vitit 2021, mediat e asaj kohe raportonin për një përgjigje përfundimtare që Qeveria e Republikës së Kosovës i kishte dërguar Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se nuk kishte interes për të vazhduar me programin për zhvillimin e infrastrukturës së gazit të lëngshëm natyror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2021, arsyetimet madje shkonin deri në atë pikë sa të thuhej se nuk po bëhej fjalë për gaz amerikan. Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës po thoshte se bëhet fjalë për gaz që vjen nga Azerbajxhani dhe Rusia. Prandaj i konsideronte, po e citoj, si budallallëk diskutimet që bëheshin në atë kohë për çështjen e gazit. Pesë vite më vonë, riaktualizohet e njëjta temë pas publikimit të një policy paper, një dokumenti të politikave të Odës Ekonomike Amerikane. Pesë vite më vonë, sërish përgjigjja është jo, dhe arsyetimet kësaj radhe janë të tjera”, deklaroi Zeka.
Këtë deklarim ai e bëri në tryezën e diskutimit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane me temën “Nga Debati për Politika te Hapat Praktikë: Qasja në LNG, Gatishmëria e Bizneseve dhe Siguria Energjetike e Kosovës”.








