Lëvizja Vetëvendosje, sipas Kryetarit në largim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, po e zvarrit procesin e Presidentit, pasi që për ta, siç thotë ai, është më me rëndësi që Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ta marrë detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentit.

“Duket që në VV e kanë një plan në kohë. Pra, fillimisht për ata është me rëndësi që Kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së Presidentit, pra nuk po nguten para datës 5 [prill]”, deklaroi Haradinaj për gazetarë para fillimit të seancës plenare.

Ai tha se opozita varet nga iniciativa e shumicës parlamentare.

“Pastaj shohim se si do ta menaxhojmë, por ne varemi nga iniciativa e tyre. Pra, është e pamundur opozita me marrë iniciativë në një temë si kjo”, shtoi ai.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj për dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndrajen e Kuvendit, konstatoi që dekreti s’ka efekt juridik dhe i dha kohë deputetëve 34 ditë që ta zgjedhin të parin e shtetit.

Por, kur kanë mbetur edhe 26 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit e VV-ja nuk e ka ndërmarrë asnjë hap për këtë çështje, për Haradinajn kjo është e qartë se ata po presin që Haxhiu ta marrë detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentes.

“Ju e dini na janë dhënë 34 ditë, 10 prej tyre shkuan, po shihet qartë se është e lidhur me datën kur Presidentja aktuale e kryen mandatin, ushtrues detyre i Presidentit vjen Albulena Haxhiu. Pra, VV po pret”.

VV, thekson ish-kryeministri, “po presin se e kanë planin kohor, njëherë me e marrë detyrën Haxhiu e pastaj me fillu ndonjë bisedë apo konsultim më tutje”.

Presidentes Osmani i përfundon mandati më 4 prill. Nëse Presidenti nuk zgjidhet deri në këtë datë, ushtruese e detyrës së të parit të shtetit do të bëhet Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, që vjen nga radhët e VV-së.