Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit, ka thënë se për të, dekreti i Presidentes Vjosa Osmani, për ta shpërndarë Kuvendin pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit ka qenë befasi, derisa ka pretenduar se i njëjti është antikushtetues. Haxhiu ka bërë me dije se do t’i drejtohen Kushtetueses për këtë vendim të Presidentes.
“Tashmë pritet që grupi parlamentar i Vetëvendosjes ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, lëndën që ndërlidhet me dekretin jokushtetues të Presidentes Osmani”, deklaroi Haxhiu për media.
Ajo tha se pret që Gjykata Kushtetuese të veprojë “në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë së pari masën e përkohshme, sepse pasojat do të jenë të pariparueshme”. “Ndaj, le ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese në raport me situatën aktuale”.
“Vendimi i Presidentes për të shpërndarë Kuvendin për mua ka qenë befasi, sepse është jokushtetues, është i ngutshëm dhe natyrisht që si të tillë do ta kundërshtojë edhe si Kryetare e Kuvendit”, potencoi ajo.
E pyetur se ku e bazon qëndrimin e saj se dekreti është jokushtetues, Haxhiu theksoi se Kushtetuta e Kosovës parasheh rrethanat se kur shpërndahet Kuvendi. “Prandaj, në këtë aspekt nuk ka asnjë rrethanë që jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60-ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e Presidentit të vendit ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës”.
“Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës, prandaj mendoj se këtij vendimi nuk duhet t’i gëzohej asnjë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse realisht është minim i punës së Kuvendit dhe minim i institucionit të Kuvendit të Kosovës”, shtoi ajo.
E pyetur se pse ky aftat 60 ditor nuk është përmendur më herët nga ajo, madje ju rikujtua deklarata e saj kur kishte thënë se nëse Presidenti nuk zgjidhet deri më 5 mars, vendi shkon në zgjedhje, ajo tentoi që të arsyetohet, duke thënë se ka potencuar se ka dy raste kur vendi shkon në zgjedhje.
“Në secilën paraqitje që unë kam pasur, përfshirë edhe të tjerë të cilët unë i kam dëgjuar ka pasur raste të cilat unë nuk kam arritur që t’i dëgjoj, ne kemi thënë që janë dy rrethana kur vendi shkon në zgjedhje në rastin e Presidentit e para kur kalojnë 60 ditë dhe ky nuk është rasti”.
“Sepse nuk janë përmbushur 60 ditë ne vetëm sa kemi nisur procedurat, sepse Kushtetua i përmend me nisjen e procedurave për zgjedhjen e Presidentit dhe në anën tjetër kur në raundin e tretë asnjëri kandidat nuk arrin që të marrë votat për t’u bërë President”.
Pra, sipas saj, “nuk ka një rrethanë siç e kemi pasur ne ku nuk ka kuorum, sepse deputetët nuk e zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon që të jenë aty dhe në rast se nuk vijnë në seancë të arsyetojnë mungesën e tyre”.









