Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj anëtarit të KQZ-së, Alban Krasniqi, duke paralajmëruar padi pasi, sipas tij, është quajtur publikisht “vrasës”.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Rama tha se “gjuha e urrejtjes nuk e ndryshon ligjin”, ndërsa akuzoi Vetëvendosjen për gjuhë linçuese dhe mosnjohje të kompetencave institucionale.
“Alban Krasniqi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe bashkëshort i Presidentes së Republikës së Kosovës, m’paska quajtur ‘vrasës’. Që gjuha e urrejtjes dhe linçimit është identitet politik i Vetëvendosjes, kjo nuk është më as temë e as befasi”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se, sipas legjislacionit në fuqi, verifikimi i sigurisë teknike të vinçit, kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e masave të sigurisë në punë janë kompetencë ekskluzive e Inspektoratit Qendror të Punës, institucion i nivelit qendror.
Sipas tij, Inspektorati i Kryeqytetit ushtron kompetencat vetëm në bazë të Ligjit për Ndërtim, duke mbikëqyrur zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit, përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar dhe legjislacionin përkatës.
“Çdo përpjekje për t’ia faturuar Kryeqytetit dhe mua përgjegjësitë që ligji ua ngarkon institucioneve të nivelit qendror tregon se, përveç dashakeqësisë, jeni edhe të padijshëm”, është shprehur ai.
Rama ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Krasniqit dhe personave të tjerë që, sipas tij, kanë shpifur.
“Alban Krasniqi, ti dhe të gjithë të tjerët që keni shpifur do të paditeni”, ka deklaruar ai.
Në pjesën e fundit të reagimit, kryetari i Prishtinës ka drejtuar akuza të ashpra ndaj Qeverisë dhe Vetëvendosjes, duke i cilësuar si “fatkeqësia e këtij vendi”.
“Për 6 vjet qeverisje, investim kapital kanë një ‘vadë në Lupç’ dhe një ‘urë 12 metra në Saradran’. Përtej kësaj, krejt çka kanë ditur të bëjnë është krijimi i ‘Lule Gjelave’ për të intimiduar, linçuar e shantazhuar këtë popull. Po e ripërsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”, ka përfunduar Rama.









